Nisin konsultimet me grupet parlamentare për zgjedhjen e Presidentit

Përditësuar më: 13/5/2022, ora 11:45

Nisin konsultimet me grupet parlamentare për zgjedhjen e Presidentit

Përditësuar më: 13/5/2022, ora 11:45

Negociatorët socialistë dhe përfaqësues të grupeve parlamentare nga opozita diskutojnë sot për zgjedhjen e Presidentit të ri. Bisedimet nisën me PDIU, e me pas me Fatmir Mediun e Agron Dukën. Ndërsa Enkelejd Alibeaj nuk do të jetë pjesë e takimeve të sotme. Opozita, që të përfshihet në këtë proces duhet të dalë me kandidaturat e veta. Shpresoj që të arrijmë në një konsensus opozitar në radhë të parë, duke ecur drejt figurave që e ofrojnë këtë lloj konsensusi.

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se kishte mbetur i kënaqur nga negociatat e ditës së premte me grupet parlamentare, sa i përket zgjedhjes së kandidaturave për postin e Presidentit të Republikës. “Afati i fundit i raundit të dytë është 23 maji. Janë disa biseda shumë të frytshme. Sot të paktën me dy-tre grupe arritëm të vendosim piketat e një procesi që do të na çojë drejt një presidenti konsensual”, tha Balla.

Ai shtoi se të hënën nuk do të shkohet në seancë me një emër të propozuar vetëm nga partia e tij. “Do të vrisnim procesin. Kemi rënë dakord të ulemi përsëri në ditët në vijim, madje në orët në vijim, që të ulemi për emrin”, tha Balla.

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha se grupi parlamentar të cilit i përket, Aleanca për Ndryshim, do të propozojë kandidatë vetëm brenda opozitës. “Si Aleancë për Ndryshim, kemi vendosur që propozimet do t’i bëjmë brenda opozitës. Jashtë opozitës nuk do të mbajmë asnjë lloj qëndrimi. Të gjithë deputetët e opozitës që janë sipas Kushtetutës të detyruar të marrin pjesë në këtë proces, duhet të jenë të pranishëm. Duhet të kemi një proces të përbashkët opozitar për të pasur një ose më shumë kandidatura alternative. Është absurde që politika të përjashtojë politikën, por duhet të jemi sa më të gjerë në pikëpamjet e fushave nga ku do të zgjedhim kandidatët”, tha Mediu.

Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU, deklaroi pas takimit me përfaqësuesit e mazhorancës mbi zgjedhjen e Presidentit të ri, se Kreu i Shtetit duhet të jetë person me eksperiencë politike. “Presidenti duhet të jetë person me eksperiencë politike, pasi do të jetë komandant i Forcave të Armatosura dhe kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ramë dakord me mazhorancën që mos të kemi President të zgjedhur njëanshmërisht dhe se procesi i zgjedhjes së Presidentit duhet të fokusohet në emra konkretë, të mos paragjykojmë kandidaturat dhe në këtë proces kushtetues janë shumë palë. Do t’i ftoja të gjithë të bashkohemi te figura”, tha Idrizi. “Duhet t’i japim shqiptarëve një President me peshë publike, sepse politika shqiptare krijon shumë kriza”, shtoi Idrizi.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përshëndeti atë që e cilëson si proces përfshirës në zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Përmes një mesazhi të shkurtër, OSBE nënvizon se ky proces do të sjellë në postin më të lartë një personalitet që përfaqëson unitetin e popullit, sikurse përcaktohet në Kushtetutën e Shqipërisë. “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përshëndet një proces përfshirës, i cili do të sjellë në postin më të lartë një personalitet që përfaqëson unitetin e popullit, sikurse përcaktohet në Kushtetutën e Shqipërisë”.