Rekomandimet e qeverisë,  Manja kërkon nga prokurorët goditjen e organizatave kriminale 

Përditësuar më: 13/5/2022, ora 17:02

Rekomandimet e qeverisë,  Manja kërkon nga prokurorët goditjen e organizatave kriminale 

Përditësuar më: 13/5/2022, ora 17:02


Rekomandimet e qeverisë për organin e prokurorisë shkaktuan debate dhe akuza ndërmjet mazhorancës dhe opozitës në komisionin parlamentar për Çështjet Ligjore. Opozita i kërkoi Ministrit të Drejtësisë që të qeveria të mos ndërhyrje në veprimtarinë e SPAK ndërsa Manja theksoi se bëhet fjalë për kërkesë llogarie, jo ndërhyrje në hetim.

Qeveria kërkon nga organi i Prokurorisë të vendosë në prioritet të punës së saj luftën kundër krimit të organizuar dhe goditjen e grupeve kriminale. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi në Komisionin e Ligjeve se kjo politikë penale kërkohet jo vetëm për stabilitetin shoqëror në vend, por edhe si kërkesë nga organizatat ndërkombëtare ku vendi aderon.  

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe ndëshkimi i ashpër penal ndaj grupeve dhe organizatave kriminale duke goditur çdo aset të paligjshëm të tyre është një prioritet absolut i qeverisë dhe ka qenë një nga rekomandimet e Këshillit të Ministrave për Organin e Prokurorisë për vitin 2021”, tha Manja.

Prania e Ministrit të Drejtësisë u pa nga opozita si një mundësi e mirë për ta ballafaquar me debatin që ka krijuar shefi i qeverisë me qëndrimet e tij ndaj SPAK.  

“Skërmitja e dhëmbëve nga kryeministri në asamblenë e PS-së ndaj SPAK-ut, isoja që i mbajtët ju brenda KLGj-së, ju i konsideroni si kërkesë llogarie për performancë”, u shpreh Alibeaj.

“Ti kërkosh prokurorisë të jap përgjigje, ç’bëhet me katër çështje thotë i kam regjistruar si vepra penale këtu e dy vjet, unë besoj se lidhet me një nga detyrat kushtetuese që ka ekzekutiv”, shtoi Manja.

“Po mirë për një standard të barabartë pse nuk lëshuar një ton kërcënues dhe për dosjen 184”, iu përgjigj Alibeaj.

“Vesi del me shpirtin. Unë në fakt as nuk intimidohem dhe as nuk më bën të ndryshoj parimet e mia sepse raporti me drejtësinë është një raport që lidhet me formimin e gjithsecilit dhe nuk ka të bëj me politikë”, u kundërpërgjigj Manja.

Opozita konstatoi se mes rekomandimeve të qeverisë për Prokurorin e Përgjithshëm nuk listohej si prioritare hetimi i krimeve zgjedhore, shqetësim që mori përgjigje nga ministri i Drejtësisë.   

“Pra pse nuk kërcëllini dhëmbët ju për këtë çështje duke i kërkuar me dokumente, jo me deklarata të Kryeministrit, që prokuroria e posaçme dhe Prokuroria e Përgjithshme në ato pak resurse që kanë të vënë prioritetin tek krimet zgjedhore”, deklaroi Bylykbashi.

Në raportin e përgatitur për deputetët Ministri i Drejtësisë nënvizoi se përgjatë vitit 2021 janë rritur krimet brenda familjes, ndërsa shqetësuese ishte edhe rritja e raportit të të miturve në konflikt me ligjin.