Ukraina godet një tjetër anije ruse, trupat tërhiqen nga Kharkiv, shtohen sulmet në Mariupol

Përditësuar më: 13/5/2022, ora 15:07

Ukraina godet një tjetër anije ruse, trupat tërhiqen nga Kharkiv, shtohen sulmet në Mariupol

Përditësuar më: 13/5/2022, ora 15:07

Ukraina i jep një tjetër goditje ushtrisë së Vladimir Putinit. Autoritetet në Kiev bënë më dije se kishin dëmtuar një anije të suportit logjistik pranë Ishullit të Gjarpërinjve në Detin e Zi. “Falë veprimeve të  marinarëve tanë, anija Vsevolod Bobrov, një prej mjeteve më të reja të flotës ruse mori zjarr“, shpjegoi një zëdhënës I administratës rajonale ushtarake të Odesës.

Sakaq, imazhe satelitore tregojnë një tjetër anije të mbytur ruse pranë ishullit që u pushtua në nisje të luftës dhe që u bë fushëbetejë strategjike për kontrollin e Detit të Zi. Imazhet e kompanisë Maxar tregojnë pasojat e atij që sipas ekspertëve duket të jetë sulm me raketë ndaj një mjeti zbarkues rus.

Por Moska nuk po vuan disfatat vetëm këtu. Sipas gazetës New York Time, që citon funksionarë ukrainas dhe perëndimor, trupat e Putinit po tërhiqen edhe nga rrethinat e Kharkiv, qytet I vënë në shënjestër të bombardimeve që prej fillimit të luftës. Gjithashtu, ministria e mbrojtjes në Britaninë e Madhe konfirmoi se forcat ukrainase kishin parandaluar me sukses një përpjekje të rusëve për të kaluar një lum në Donbas, duke i shkaktuar humbje të mëdha armatimesh ushtrisë pushtuese. Për ta dëshmuar këtë, Ukraina publikoi edhe një video.

Sakaq, rusët vazhdojnë sulmet me artileri dhe ato ajrore ndaj fabrikës së Azovstan në Mariupol, ku po qëndrojnë luftëtarët e mbetur të rezistencës. Zëdhënësi i ushtrisë Oleksandr Shtupun tha se Rusia po përpiqet të marrë kontrollin e plotë të qytetit duke shtypur rezistencën, dhe se prisnin intensifikim të bombardimeve tani që civilët ishin larguar.

Pamje të publikuara nga batalioni Azov ditën e enjte tregojnë shkëmbim zjarri pranë impiantit metalurgjik. Paralelisht, trupat e Moskës kanë shtuar sulmet edhe në lindje të vendit, edhe pse sipas Kievit, jo të gjitha kanë qenë të suksesshme.

Në një videomesazh mbrëmjen e së enjtes, presidenti Volodimir Zelensky tha se Moska kishte pësuar disfatë strategjike në Ukrainë dhe e akuzoi atë për shënjestrimin e infrastrukturës shëndetësore dhe arsimore.

“Gjatë luftës së nisur në 24 shkurt, trupat ruse kanë goditur 570 godina shëndetësore, 101 spitale janë shkatërruar plotësisht. Ky është barbarizëm…Ata po sulmojnë edhe shkollat…Çfarë do të arrijnë me këtë? Komandantët që japin urdhra të tilla janë të sëmurë. Megjithatë, mundja strategjike e Rusisë është e dukshme për të gjithë në botë, por Rusia nuk ka ende guximin ta pranojë. Ata janë frikacakë”, deklaroi presidenti ukrainas.