Rusia “i fiku dritat”, Finlanda nuk shqetësohet: Furnizohemi nga Suedia

Përditësuar më: 14/5/2022, ora 09:49
124731028 gettyimages 836115808

Rusia “i fiku dritat”, Finlanda nuk shqetësohet: Furnizohemi nga Suedia

Përditësuar më: 14/5/2022, ora 09:49

Operatori rus i energjisë elektrike, RAO Nordic, thotë se do të pezullojë dërgesat e elektricitetit në Finlandë nga kjo e shtunë, duke thënë se shkak për këtë janë problemet me pagesat për dërgesat e mëparshme.

Nga ana tjetër, operatori finlandez i energjisë tha se merrte nga Rusia vetëm 10% të elektricitetit dhe do të mund ta zëvendësonte me burime të tjera, kryesisht nga Suedia.

Të enjten, Rusia kërcënoi se do të merrte masa pasi Finlanda deklaroi se kishte në plan të bashkohej me aleancën ushtarake të NATO-s.

Vendimi i RAO Nordic duket se ka lidhje pikërisht me këtë fakt, pasi sipas deklaratës së vetë kompanisë ruse, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur asnjëherë që prej 20 viteve që të dy vendet bashkëpunonin në këtë drejtim.

Muajin e kaluar, Rusia ndërpreu furnizimin me gaz drejt Bullgarisë dhe Polonisë, pasi këto shtete nuk pranuan të kryenin pagesat në rubla, një vendim i marrë nga Rusia për të përballuar sanksionet e vendosura nga Perëndimi.

Finlanda ndan me Rusinë një kufi tokësor rreth 1300 kilometra të gjatë dhe më parë ka preferuar të qëndrojë jashtë NATO-s për të shmangur problemet me fqinjin lindor. Por që prej pushtimit të Ukrainës, mbështetja publike për t’u bërë pjesë e NATO-s është rritur ndjeshëm. Të dielën pritet që Finlanda të shpallë zyrtarisht objektivin për t’u bashkuar me atë që konsiderohet si aleanca ushtarake më e madhe në botë.