Moment historik, Suedia dhe Finlanda aplikojnë për anëtarësim në NATO

Përditësuar më: 18/5/2022, ora 16:20

Moment historik, Suedia dhe Finlanda aplikojnë për anëtarësim në NATO

Përditësuar më: 18/5/2022, ora 16:20

Një moment historik. Kështu e cilëson sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dorëzimin e kërkesave për anëtarësim të Finlandës dhe Suedisë në aleancën ushtarake.

Ambasadorët e dy shteteve nordike aplikuan zyrtarisht që t’i bashkohen NATO-s, në selinë e aleancës në Bruksel, vetëm pak javë pasi bënë të ditur synimet për t’i dhënë fund politikës dhjetëravjeçare të neutralitetit ushtarak. 

“Aplikimi juaj sot është një hap historik. Aleatët do të konsiderojnë tani hapat e ardhshëm në rrugën tuaj drejt NATO-s. Interesat e sigurisë së të gjithë aleatëve duhet të merren në konsideratë dhe ne jemi të vendosur të punojmë mbi të gjitha çështjen dhe të arrijmë në zgjidhje të shpejta”, tha Stoltenberg.

Ditët e fundit, Turqia, një shtet anëtar i NATO-s shprehu kundështinë ndaj hyrjes së mundshme të Suedisë dhe Finlandës, vende që i kritikon për strehim të militantëve kurdë dhe embargo e armëve ndaj Ankarasë.

Por Stoltenberg mendon se pozicioni i Turqisë mund të ndryshojë. Që kërkesa për anëtarësim të aprovohet duhet të marrë dritën jeshile nga secili prej 30 shteteve anëtarë të aleancës. Një procedurë e tillë kërkon zakonisht nga 8 deri në 12 muaj, por NATO do të përshpejtojë hapat duke konsideruar urgjencën e Helsinkit dhe Stokholmit, në vazhdën e agresionin rus në Ukrainë dhe kërcënimeve për pasoja politike dhe ushtarake nga Moska.

Finlanda dhe Suedia ishin vendet me të afërta me NATO-n nga pikëpamja tekniko-ushtarake; kështu kundërshtitë e mundshme ndaj anëtarësimit në aleancë do të ishin thjesht politike.