Paralajmërimi i OKB: Krizë globale ushqimore, Rusia të zhbllokojë eksportet në Ukrainë

Përditësuar më: 19/5/2022, ora 13:38

Paralajmërimi i OKB: Krizë globale ushqimore, Rusia të zhbllokojë eksportet në Ukrainë

Përditësuar më: 19/5/2022, ora 13:38

Lufta ruse në Ukrainë mund të shkaktojë shumë shpejt një krizë ushqimore globale, që mund të zgjasë me vite. Paralajmërimi erdhi nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres tha se lufta ka rënduar pasigurinë ushqimore në vendet më të varfra për shkak të çmimeve në rritje. Sipas tij, disa shtete mund të përballen me urinë në periudhë afatgjatë nëse eksportet ukrainase nuk rikthehen në nivelet e paraluftës.

“Lufta ruse në Ukrainë po amplifikon dhe po përshpejton të gjithë këta faktorë: ndryshimet klimatike, covid-19 dhe pabarazinë. Ajo kërcënon të lërë miliona njerëz në prag të pasigurisë ushqimore, ndjekur nga kequshqyerja dhe uria masive në një krizë që mund të zgjasë me vite”, tha Guterres.

Konflikti ka ndërprerë tregtinë nga portet e Ukrainës, e cila dikur eksportonte sasi të mëdha të vajit të lulediellit dhe drithërave, të tilla si misri dhe gruri. Kjo ka reduktuar furnizimet globale dhe ka rritur me gati 30 për qind çmimet, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Guterres i bëri thirrje Rusisë të lejojë zhbllokimin e eksporteve në Ukrainë dhe prodhimin e ushqimeve, si mënyra e vetme për të zgjidhur krizën. 

“Rusia duhet të lejojë rikthimin e eksporteve të sigurta të grurit të depozituar në portet ukrainase. mund të shqyrtohen itinerare alternative, edhe pse kaq nuk do të mjaftonte për zgjidhjen e problemit. Gjithashtu, produktet ushqimore dhe fertilizuesit rus duhet të kenë qasje të pakufizuar në tregjet botërore pa pengesa indirekte”, shtoi sekretari i OKB-së.

Sakaq, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se bota përballej me krizën më të madhe të sigurisë ushqimore, e nxitur nga ajo që e quajti lufta me zgjedhje e presidentit Putin.