Taksimi i të vetëpunësuarve, zbulohet në A2 Business skema e re

Përditësuar më: 19/5/2022, ora 15:42

Taksimi i të vetëpunësuarve, zbulohet në A2 Business skema e re

Përditësuar më: 19/5/2022, ora 15:42

Nga 1 qershori deri në fund të vitit, qeveria do të hedhë për konsultim publik skemën e re të taksimit të individëve dhe bizneseve.

Drejtues të Ministrisë së Financave kanë zbuluar në emisionin A2 Business sesi do të taksohen të vetëpunësuarit, të cilët prej dy vjetësh janë të përjashtuar nga taksat, ndryshe nga të punësuarit e tjerë që bëjnë të njëjtën punë, por që paguajnë në bazë të taksës progresive.

“Ligji do të taksojë përsëri dhe do të jetë një ligj tatimi mbi të ardhurat, duke pasur si shtylla kryesore taksimin e individëve dhe taksimin e korporatës. Brenda konceptit të taksimit të individëve do të taksohen të ardhurat nga punësimi, të ardhurat nga biznesi, nga kapitali pasiv, si dhe të ardhura të tjera, ato të lojërave të fatit apo nga trashëgimitë. Ne kemi propozuar dy elemente, që të ardhurat e biznesit të trajtohen në dy grupe kryesore. Grupi i parë do të jetë më individët që furnizojnë shërbime. Për këtë kategori, do të propozojmë që taksimi të fillojë nga 1 janari 2023, sipas një skeme të ngjashme me të ardhurat nga punësimi, por duke zbritur çdo shpenzim qoftë nëpërmjet mbajtjes së dokumentacionit, si dhe duke zbritur apo duke marrë në konsideratë zbritje të tjera të cilat do të ulin bazën me të cilën do të llogariten të ardhurat e taksueshme”, u shpreh Niko Lera, drejtor i politikave fiskale në Ministrinë e Financave në A2 Business.