Eksploruesi kinez i Marsit bie në gjumë për t’i shpëtuar stuhive

Përditësuar më: 20/5/2022, ora 14:47

Eksploruesi kinez i Marsit bie në gjumë për t’i shpëtuar stuhive

Përditësuar më: 20/5/2022, ora 14:47

Eksploruesi kinez i Marsit, roveri Zhurong, u vendos në gjumë për t’i mbijetuar stuhive të rërës dhe pluhurit në Planetin e Kuq.

Administrata Kombëtare e Kinës për Hapësirën tha se mjeti do të rindizet rreth dhjetorit. Duke krahasuar dy imazhe të shkrepura nga Zhurong më 16 mars dhe 30 prill, analizimi i të dhënave nga ndryshimet në elektricitet në krahët e roverit, shkencëtarët vlerësuan se Marsi po përjeton stuhi të fuqishme rëre.

Për të përballuar këto kushte të vështira, të cilat dobësojnë kapacitetet e gjenerimit të energjisë, ekspertët vendosën ta fiknin eksploruesin. Teksa zona e zbritjes e Zhurong hyn në stinën e dimrit, temperature më e lartë gjatë ditës shkon në minus 20 gradë celsius, ndërsa gjatë natës deri në minus 100 gradë celsius. Temperaturat do të vijojnë të bien dhe më tej në mes të korrikut. Ndërsa rreth dhjetorit, zona e zbritjes hyn në stinën e pranverës dhe kushtet mundësojnë që Zhurong t’i rikthehet punës.

Synimet në misionin e këtij eksploruesi janë: të studiojë topografinë dhe gjeologjinë e zonës; të ekzaminojë tokën dhe përmbajtjen akullnajore; të studiojë elementet, mineralet dhe përbërjen e gurëve, si dhe kushtet atmosferike të Planetit të Kuq, Mars.