Kraja përballë deputetëve. Kreu i SPAK pyetet për dosjet e mëdha dhe presionin politik

Publikuar më: 20/5/2022, ora 19:54

Kraja përballë deputetëve. Kreu i SPAK pyetet për dosjet e mëdha dhe presionin politik

Publikuar më: 20/5/2022, ora 19:54

Arben Kraja ishte në Komisionin e Ligjeve përballë deputetëve që e pyetën jo vetëm për rezultatet e hetimeve mbi dosjet e mëdha, por edhe presionin politik.

Deputetët e opozitës iu referuan deklaratave të kryeministrit në Asamblenë e Partisë Socialiste, nga ku Rama kërkoi hetim ndaj Sali Berishës dhe Ilir Metës.Tentativat për ndikim ndaj drejtësisë deri në kontroll të saj, i pranoi edhe socialisti Fatmir Xhafaj, që drejtoi Reformën në Drejtësi, por ai i kujtoi drejtuesit të SPAK-ut mbrojtjen që i garanton ligji: “E kuptoj që ka ndikim, por ju jeni të pavarur, jeni vetëm peng i vetvetes”.

“Ju garantoj se struktura që unë drejtoj është totalisht jashtë çdo ndikimi”, u përgjigj Kraja. 

Mungesa e hetimit të çështjeve të nxehta të drejtësisë ishte mes kritikave të Fatmir Xhafajt: “Nëse nuk ka prioritet për fokus dhe çështje të tilla, atëherë do të humbisni besueshmërinë e publikut”.

Ndryshe mendon Oerd Bylykbashi, i cili pavarësinë që ligji u garanton prokurorëve e sheh si thikë me dy presa: “Mund të krijohet një vëllazëri që këta të përcaktojnë se çfarë bëhet”.

“Në praktikë është e pamundur që të ndodhë”, tha Kraja.

Një qëndrim i SPAK u kërkua nga socialistët edhe për personat e shpallur “non grata” nga DepartamentiAmerikan i Shtetit: “Si e ka çmuar SPAK vendimin për shpalljen non grata?”.

“Nuk komentojmë veprimtari”, u përgjigj Kraja.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, mes të tjerash vuri në dukje edhe ngarkesën e madhe që ka institucioni që ai drejton.