Michel: Personalisht e mbështes Ballkanin e Hapur. Pozita e kryeministrit për ndarje nga Maqedonia, e përligjur

Publikuar më: 20/5/2022, ora 12:30
20 MAJ 2022 RAMA MICHEL KONFERENCE frame 43664 1280x720

Michel: Personalisht e mbështes Ballkanin e Hapur. Pozita e kryeministrit për ndarje nga Maqedonia, e përligjur

Publikuar më: 20/5/2022, ora 12:30

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, tha se personalisht e mbështet nismën “Ballkani i Hapur”, të ndërmarrë deri tani nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

“Personalisht e mbështes Ballkanin e Hapur dhe uroj që të gjithë të bashkohen në këtë nismë, sepse sa më shumë të jenë, aq më të mëdha do të jenë aftësitë për të bashkëpunuar, për të forcuar strukturat ekonomike. Kjo do ta lehtësojë edhe afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian”, tha Michel në një konferencë për mediat në Tiranë.

Ish-kryeministri belg tha gjithashtu se e kupton qëndrimin e Ramës për të kërkuar ndarjen e procesit të integrimit nga Maqedonia e Veriut, nëse dy vendet nuk nisin negociatat në qershor. “Natyrisht që në Shqipëri ka padurim për të nisur negociatat sa më shpejt të jetë e mundur. Unë jam i angazhuar plotësisht për të zgjidhur vështirësitë. Ne do ta bëjmë vlerësimin në muajin qershor. Nëse kjo nuk ndodh, duhet ta rishohim situatën. Pozita e kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe e përligjur”, tha Michel.

Në nismën për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit, nuk kanë pranuar të marrin pjesë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina.