Nga 40 në 500 mijë euro, rrëfimi i Dumanit për pagesat e krimeve

Publikuar më: 20/5/2022, ora 16:16

Nga 40 në 500 mijë euro, rrëfimi i Dumanit për pagesat e krimeve

Publikuar më: 20/5/2022, ora 16:16

“Zbërthimi” i Nuredin Dumanit dhe ushtarit të tij Henrik Hoxha para prokurorëve të SPAK, ka shërbyer si çelës për zbardhjen e një sërë krimesh të ndodhura 10 vitet e fundit në vend. Detajet e rrëfyera nga autorët e përfshirë, porositësit, ezkekutorët apo edhe ndihmësit, kanë identifikuar për hetuesit gjithë zinxhirin kriminal dhe mekanizmin e 18 ngjarjeve të rënda. Njëkohësisht, dëshmia nxjerr në dritë çmimet marramendëse për krimet e kryera a të porositura, që variojnë nga 40 deri në 500 mijë euro.

Në dëshminë e tij, të zbardhur në dosjen e siguruar nga A2 CNN, dalin në dritë shumat e majme të marra apo premtuara ndaj tij a të tjerëve për vrasjet e grabitjet. E tillë ishte shuma prej 40 mijë eurosh e marrë për ekzekutimin e Fatmira Dedajt, në vitin 2013 në Durrës, një nënë që kërkonte drejtësi për djalin e saj të vrarë një vit më herët. Gruaja u rrah dhe qëllua me thikë, sipas porosisë, që krimi të dukej si grabitje e jo si vrasje.

Sipas rrëfimit të Dumanit, për porosinë e ekzekutimit të Endrit Dokles, ish i dënuar si drejtues i një prej fraksioneve të Bandës së Durrësit, i ishin premtuar më shumë se 500 mijë euro, nga të cilat kishte marrë 100 mijë kapar, por vrasja nuk u krye.

Në lidhje me një porosi për vrasjen e Sokol Sanxhaktarit në Elbasan, e cila ka mbetur vetëm në plan, i ishin premtuar 200 mijë euro. Ndërsa për vrasjen Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, dikur mik e më pas armik i përbetuar i Dumanit, ai vetë i ka dhënë 60 mijë euro Enver Divës e Besmir Xhixhës. Sipas Dumanit, i pranishëm edhe vetë në krim, ka tentuar t’i japë fund Bujar Çelës me një pistoletë që ia kishte dhuruar më herët vëllai i tij, Talo, por arma ishte bllokuar.

Për ekzekutimin e administratorit të një shkolle private në kryeqytet, ngjarje e mbetur në tentativë, Nuredin Dumani kishte kërkuar 200 mijë euro, por i ishin premtuar 150 mijë. Për krimin, ai kontratoi një tjetër person për 100 mijë euro.

Po sipas Dumanit, për vrasjen e Filip Gjeloshit e Elton Kilës, të dyja të parealizuara, ishin porositur për 50 dhe 70 mijë euro.