“Serbia duhet të ndryshojë”, Kurti: Dialogojmë për njohje reciproke, asociacioni jo kushtetues

Përditësuar më: 20/5/2022, ora 15:50
KURTI VOA SERBIA.duplicate frame 2564 1280x720

“Serbia duhet të ndryshojë”, Kurti: Dialogojmë për njohje reciproke, asociacioni jo kushtetues

Përditësuar më: 20/5/2022, ora 15:50

Duam normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por për këtë Serbia duhet të ndryshojë. Kështu u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Zërin e Amerikës gjatë vizitës së tij në Uashington.

Sipas Kurtit, Beogradi ka mbetur prapa, pasi nuk pranon të njohë pavarësinë dhe as krimet e luftës në Kosovë. Kurti thotë se ndryshe nga e kaluara kur Kosova detyrohej të bënte lëshime, dialogu me Serbinë tani duhet të zhvillohet vetëm për arritjen e një marrëveshje që do të përfshinte njohjen reciproke.

“Në të kaluarën kemi pasur për një dekadë një dialog në të cilin Kosova bënte koncesione në pritje të njohjes nga Serbia, që vije në fund. Dhe ai fund nuk ndodhi. Tash kemi një zhvendosje të çështjes nga, le të themi, procesi i stërzgjatur në kohë, te hapësira e një marrëveshjeje në qendër të së cilës është njohja reciproke. Unë nuk them që njohja reciproke është e vetmja gjë në marrëveshje, mirëpo është në qendër të saj. Andaj, përderisa Serbia thotë që kurrë nuk do t’ju njohim dhe presidenti i saj thotë që Reçaku nuk është një ngjarje e vërtetë, pra masakra e 15 janarit të vitit 1999, atëherë këtu edhe ndodhet problemi që nuk e kemi ende një marrëveshje të tillë”, tha Kurti.

I pyetur nëse Kosova do të njohë asociacionin me shumicë serbe, përballë trysnisë së Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, Kurti përsëriti se marrëveshja nuk e ka kaluar testin e gjykatës kushtetuese dhe se në Kosovë nuk mund të ketë asociacione me baza etnike. Kurti tha se gjatë takimeve me zyrtarët amerikanë kishte adresuar çështjen e lidhjeve të Serbisë me Rusinë dhe kishte kërkuar demilitarizim të një brezi rreth kufirit mes dy vendeve.

“Kam kërkuar që të mbyllet Qendra Humanitare Ruse në Nish, pastaj të hiqet zyra e Rusisë brenda ministrisë së Mbrojtjes në Beograd dhe gjithashtu një zonë rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë ku ndodhen 48 baza operative ushtarake dhe të xhandarmërisë që janë ofensive, të largohen prej aty. Pra, për sigurinë e Kosovës, kemi nevojë për një demilitarizim të një brezi rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë”.

Kurti shtoi më tej se në vazhdën e luftës ruse në Ukrainë, ka ardhur koha që Ballkani Perëndimor të integrohet në Bashkimin Europian edhe pse, sipas tij, mbetet problem rreshtimi i Beogradit në krah të  Moskës. “Serbia po e shndërron veten në Bjellorusi të Ballkanit”, tha Kurti, që kërkoi ndërhyrjen amerikane për të ndryshuar situatën.