Shtohen kreditë, Shoqata e Mikrofinancës: E pritshme, por Shqipëria e ndjen 6 muaj më vonë efektin e krizave

Përditësuar më: 20/5/2022, ora 20:44

Shtohen kreditë, Shoqata e Mikrofinancës: E pritshme, por Shqipëria e ndjen 6 muaj më vonë efektin e krizave

Përditësuar më: 20/5/2022, ora 20:44

Pas vitit post-pandemik, duket që në 2021 dhe këto muajt e parë të 2022 kërkesa për kredi shtuar edhe në vendin tonë.

Sipas Arlinda Mujës, kryetare e shoqatës se Mikrofinancës, është dyfishuar. Sipas saj, “ishte e pritshme që të ndodhte, duheshin rifinancuar bizneset dhe individët që kishin pësuar humbje në këtë periudhë”.

Muja, e intervistuar në ”Business News”, shton se pasojat e këtyre krizave vijnë në përgjithësi me vonesë.  “Mendoj që në Shqipëri efektet e krizave globale ndodhin pak më vone, zakonisht i ndjejmë një 6-mujor më vone. Sot shohim rritjen e inflacionit, kostoja për konsum është rritur. Kërkesa për kredi është sezonale”.

Sipas saj, “kredia e individëve mban rreth 52% e totalit të diszbursimeve, 30%  e bizneseve dhe tjetra për sektorin bujqësor. Rritje në këtë sezon kemi për ata që merren me turizëm”.

Statistikat e sakta janë ende të vështira, sepse “kredia për individë duhet kuptuar edhe për bizneset familjare, prandaj ne nuk mund të ndajmë kredinë e individëve në qoftë se është për konsum individual apo edhe për financime të bizneseve personale”.

Mikrofinanca, në këtë kontekst, është kritikuar për shkak të interesat e larta të huave. “Mikrofinanca suporton tregjet ende jo të mirëzhvilluar,  që nuk kanë shumë akses në banka. Në Shqipëri mendohej se përqindja e ndikimit të mikrofinancës në 10 vite do të ulej, por në fakt është rritur dhe ky nuk është lajm i mirë sepse duhej një akses më i lartë në banka”.

Për sa i përket kostos, Muja shpjegon se “mikrofinanca ka lulëzuar për shkak të informalitetit të lartë, bizneset mbajnë një rrezik që bankat nuk e marrin dot përsipër. Çmimet ndikohen nga risku, kostot e mikrofinancës vijnë nga investitorë të huaj, janë me interesa shumë të larta, dhe kjo përkthehet me koston e kredisë qe japim këtu”.