Mbappe ndërron zyrtarisht mendje, rinovon me PSG pas ofertës rekord

Publikuar më: 21/5/2022, ora 22:28
fbl fra ligue1 psg metz 1 1149x720

Mbappe ndërron zyrtarisht mendje, rinovon me PSG pas ofertës rekord

Publikuar më: 21/5/2022, ora 22:28

Një ofertë e tillë, vërtetë nuk mund të refuzohet, nga askush. Al Kheliafi fitoi përfundimisht “betejën” e tij me Real Madrid, ku objektivi ishte vetëm një, Kylian Mbappe.

Presidenti i Paris Saint Germain zyrtarizoi sot para ndeshjes me Metz rinovimin me sulmuesin e talentuar, pasi zërat për një ndryshim mendje nga ana e futbollistit francezit kishin qarkulluar prej disa ditësh, duke prishur planet e “Los Blancos” për ta pasur në Spanjë, ashtu siç dukej e sigurt vetëm një javë më parë.

Shifrat flasin vetë.  Sulmuesi 23-vjeçar, që pas rënies disi të kuptueshme të Leo Messit dhe Cristiano Ronaldos për shkak të moshës mund të cilësohet si ylli më i shndritshëm i futbollit botëror, do të përfitojë në tre vitet e ardhshme 100 milion euro në vit.

Por nuk mjafton me kaq. Edhe pse shifrat nuk janë ende zyrtare,  Mbappe do të marrë, si falënderim për zgjedhjen e Parisit, edhe 300 milionë euro që në fillim. Praktikisht bëhet fjalë për pothuajse 600 milionë euro, një rekord për sportin botëror, që zbeh edhe kontratën e Leo Messit me Barcelonën, që gjithsesi shtrihej në 4 vite, dhe atë të Patrick Mahommes në futbollin amerikan.   

Momenti i shpalljes së rinovimit

Por goditja e Al Khelaifit nuk ka mbetur pa përgjigje, jo vetëm nga Real Madrid, por nga vetë Liga spanjolle, presidenti i së cilës, Javer Tebas, ka përdorur fjalë të rënda për të cilësuar kontratën e francezit. “Ajo që do bëj PSG për të rinovuar Mbappe, me shifra që nuk dihet si dhe ku i merr, duke pasur ndërkohë humbje për 700 milionë euro, është një ofendim për futbollin. Al Khelaifi është i rrezikshëm si Superliga”.

Një qëndrim i rëndë ky por që ndoshta mund të përkufizohet edhe si një autogol, nga momenti që vetë Reali do të propozonte shifra të përafërta dhe jashtë tregut, ndërkohë që pikërisht “Los Blancos” kanë qenë iniciatorët e Superligës.