Biden mbërrin në Japoni, pritet me kritika dhe protesta

Përditësuar më: 22/5/2022, ora 16:03

Biden mbërrin në Japoni, pritet me kritika dhe protesta

Përditësuar më: 22/5/2022, ora 16:03

Presidenti amerikan Joe Biden mbërriti në Japoni, në një vizitë që ka në thelb një plan angazhimi më të madh ekonomik të SHBA-së me Indo-Paqësorin. Por, kritikat nisën edhe përpara se programi të shpallet, për shkak se përfitimet për vendet në rajon konsiderohen të pakta.

Amerikanët synojnë që përmes këtij programi të lidhen më ngushtë vendet e rajonit nëpërmjet standardeve të përbashkëta, duke përfshirë qëndrueshmërinë e zinxhirit të furnizimit, energjinë e pastër, infrastrukturën dhe tregtinë digjitale. Biden do të kontaktojë Perandorin Naruhito dhe kryeministrin Fumio Kishida, me të cilin do të diskutohen planet e Japonisë për të zgjeruar aftësitë e saj ushtarake, në përgjigje të fuqisë në rritje të Kinës.

Në pjesën e dytë të udhëtimit të tij të parë në Azi si President i SHBA-së, Joe Biden do të takohet me liderët e Japonisë, Indisë dhe Australisë, “Quad”, një tjetër gur themeli i strategjisë së tij për të kundërshtuar ndikimin në rritje të Kinës.

Por, qindra njerëz u mblodhën në qendër të Tokios kundër asaj që e shohin si vizitë që mund të prishë paqen në rajonin Azi-Paqësor. Uashingtonit i ka munguar një shtyllë ekonomike për angazhimin e tij në këtë rajon, që kur ish-presidenti Donald Trump u largua nga një marrëveshje tregtare shumëkombëshe transpaqësore, duke i lënë fushë të hapur Kinës për të zgjeruar ndikimin e saj.