Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

PD voton sot për kryetarin, zgjedh mes Sali Berishës dhe Ibsen Elezit

Nga A2 CNN
22 Maj 2022, 08:14 | Politikë
PD voton sot për kryetarin, zgjedh mes Sali Berishës dhe Ibsen Elezit

Sot anëtarët e Partisë Demokratike do t’i drejtohen sërish kutive të votimit, kësaj here për të zgjedhur kryetarin e ri që do i drejtojë, pas largimit të Lulzim Bashës.

Nga ora 08:00 deri në 18:00 të gjithë demokratët do të kenë mundësinë të hedhin votën e tyre për të zgjedhur kandidatin e preferuar mes liderit historik Sali Berisha dhe ish-kryetarit të partisë në Kukës, Ibsen Elezi.

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale pranë Partisë Demokratike njofton se nëse në orën 18:00 do të ketë anëtarë të PD që ende nuk kanë votuar, Qendrat e Votimit nuk do të mbyllen derisa të ketë votuar edhe personi i fundit.

Votimi do të zhvillohet në 108 qendra në mbarë vendin, ndërkohë që anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD do të votojnë në njërën prej dy qendrave të votimit në Selinë Qendrore të Partisë Demokratike, ose në degët ku ata janë të deleguar pasi të kenë njoftuar pranë Komisionit.

Edhe njëherë Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale deklaron se zgjedhja e kryetarit do të bëhet sipas parimit një anëtar një votë dhe për këtë arsye iu bën thirrje të gjithë demokratëve që të shprehin vullnetin e tyre.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu