Ashpërsohet ofensiva në Donbas, Zelenski: Rreth 100 të vrarë çdo ditë në lindje të vendit

Përditësuar më: 23/5/2022, ora 10:56

Ashpërsohet ofensiva në Donbas, Zelenski: Rreth 100 të vrarë çdo ditë në lindje të vendit

Përditësuar më: 23/5/2022, ora 10:56

Ukraina mund të jetë duke humbur nga 50 deri në 100 jetë njerëzish çdo ditë në rajonin lindor të Donbasit. Këtë e tha Presidenti Volodymyr Zelensky gjatë një konferencë për shtyp ditën e dielë.

Sipas tij, të vrarët kishin mbrojtur Ukrainën në zonën më të vështirë. Zelensky nuk dha detaje të tjera, por komentet e tij duket të jenë një referencë ndaj humbjeve në radhët e ushtrisë dhe sinjalizojnë se sa e ashpër është bërë beteja në lindje të vendit.

Forcat ruse po përpiqen të thyejnë linjat e mbrojtjes ukrainase dhe të arrijnë në kufijtë administrativë të rajonit lindor të Luhanskut. Sipas gjeneralit të ushtrisë ukrainase, ato po fokusohen kryesisht në qytetin e Severdonetsk, ku kanë intensifikuar sulmet ajrore për të shkatërruar infrastrukturën kyçe të Ukrainës. Ka raportime se në shënjestër të bombardimev eshtë vënë edhe një shkollë ku po strehoheshin qytetarë.

Autoritetet lokale të rajonit të Luhanskut thonë se Moska ka tërhequr trupat nga Kharkivi, Mariupoli e madje edhe ato që sapo janë mobilizuar në Siberi, për t’u përqendruar në ofensivën në Donbas.

Sakaq, Ministria e Mbrojtjes në Britaninë e Madhe bëri të ditur në përditësimin e fundit se humbjet që Rusia ka pësuar në Ukrainë janë të ngjashme me ato të luftës së ish-Bashkimit Sovjetik me Afganistanin. Në konfliktin 9-vjeçar u vranë 15 mijë ushtarë sovjetikë. Numri i lartë i viktimave që po shënohet kryesisht gjatë ofensivës në Donbas, sipas inteligjencës britanike, mund të shpjegohet nga taktikat e dobëta, mbulimi i kufizuar ajror dhe mungesa e fleksibilitetit.