Biden: Ndërhyjmë ushtarakisht nëse Kina pushton Tajvanin

Përditësuar më: 23/5/2022, ora 14:59

Biden: Ndërhyjmë ushtarakisht nëse Kina pushton Tajvanin

Përditësuar më: 23/5/2022, ora 14:59

Kina po flirton me rrezikun. Ky është paralajmërimi i lëshuar nga presidenti amerikan, Joe Biden, për vendin komunist lidhur me synimet që ka ndaj Tajvanit dhe për provokimet e shpeshta me avionët luftarakë dhe manovra ushtarake. Kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke folur nga Japonia, u zotua se do të ndërhynte edhe ushtarakisht për të mbrojtur shtetin ishull nëse sulmohet, një ndryshim i qartë nga politikat afatgjata të Shteteve të Bashkuara për rajonin.

“Ne kemi një qëndrim të prerë bashkë me Japoninë dhe vendet e tjera që të mos lejojmë atë të ndodhë dhe pritshmëria ime është se nuk do të ndodhë, nuk do të tentohet”, tha Biden

Ai hoqi dhe një paralele mes Tajvanit dhe luftës së Rusisë në Ukrainë. “Pajtohemi me politikën e Kinës së Bashkuar. Kemi nënshkruar këtë dhe të gjitha marrëveshje shoqëruese prej andej. Por ideja që mund të merret me forcë, nuk është e përshtatshme. Do të trazonte të gjithë rajonin dhe do të ishte veprim i ngjashëm me atë që po ndodh në Ukrainë”.

Kjo deklaratë e presidentit amerikan nxiti reagimin e ashpër të Kinës, duke theksuar se SHBA nuk ka asnjë të drejtë të mbrojë pavarësinë e Tajvanit. Shtëpia e Bardhë sqaroi se nuk ka një ndryshim të politikave sa i përket kësaj çështjeje, përkundër asaj që tha Biden në Japoni.

Kina e konsideron Tajvanin një provincë autonome, e cila duhet të ribashkohet me atdheun. Por ishulli ka qeverinë e tij të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe një ushtri prej 300 mijë trupash aktive. I quajtur zyrtarisht Republika e Kinës, shteit në ishull u formua nga nacionalistët e strehuar aty në përfundim të luftës civile – të zhvilluar pas Luftës II Botërore – në përfundim të së cilës komunistët morën pushtetin në Kinë.