Grabitja në Rinas, Talo Çela: Nuk kam marrë pjesë, kisha një problem me gjurin

Publikuar më: 23/5/2022, ora 11:49

Grabitja në Rinas, Talo Çela: Nuk kam marrë pjesë, kisha një problem me gjurin

Publikuar më: 23/5/2022, ora 11:49

Teksa është në listën e të shumëkërkuarve nga drejtësia shqiptare, përmes avokatit të tij Talo Çela mohoi të jetë përfshirë në grabitjen e miliona eurove në pistën e Rinasit në prill të vitit 2019.

Çela po gjykohet i veçuar nga të bashkëpandehurit e dosjes, pasi për një vit procesi ndaj tij ishte i pezulluar.

Në seancën e së hënës avokati Luan Kaloçi i tha gjykatës së klienti i tij nuk kishte qenë në grabitje. Sipas avokatit, i cili ishte pajtuar nga Bujar Çela, vëllai i vrarë i Talo Çelës, ky i fundit  kishte pasur një problem shëndetësor me gjurin dhe ishte i paaftë fizikisht të merrte pjesë në grabitje. “Nuk kam asnjë kontakt. Vëllai i tij, i cili aktualisht nuk jeton më, më ka caktuar si avokat. Mendoj që nuk ka prova. Sipas meje, nuk ka qenë, nuk ka prova që të ketë qenë në grabitje. Berberi pretendon që ditën e ngjarjes ai ka qenë duke u qethur…”, tha Kaloçi për gazetarët, jashtë sallës së gjyqit.

Njëkohësisht, avokati kërkoi pyetjen e ish-të penduarit Alkond Bengasi dhe të bashkëpandehurve Klement e Eldi Çala.

SPAK ka kërkuar dënimin me 138 vite burg për 7 të akuzuarit e tjerë për grabitjen e miliona eurove në pistën e Rinasit, në prill të vitit 2019. Për Klement Çalën, i dyshuar si organizator, u kërkuan 24 vite burg. Për të pandehurit e tjerë, Eldi Çala, Oltjan Veseli, Renaldo Sula, Saimir Çela, Elton Pikli dhe Alkond Bengasi, u kërkuan nga 19 vite burg.