“Lija e majmunëve” në 15 shtete, OBSH: Bota përballet me sfida të frikshme

Përditësuar më: 23/5/2022, ora 12:55

“Lija e majmunëve” në 15 shtete, OBSH: Bota përballet me sfida të frikshme

Përditësuar më: 23/5/2022, ora 12:55

Bota po përballet me sfida të frikshme, përfshirë Covid-in, luftën në Ukrainë dhe “linë e majmunëve”, paralajmëroi kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Thedrosadhanom Gebrejesus foli në Gjenevë ku ekspertët e Agjencisë së OKB-së janë mbledhur për të diskutuar shpërthimin e lisë së majmunëve në 15 shtete jashtë Afrikës, ku virusi është endemik.

 “Natyrisht që pandemia e Covid-19 nuk është e vetmja krizë në botë. Ndërsa flasim, kolegët tanë rreth globit po i përgjigjen shpërthimeve të Ebolas në Republikën Demokratike të Kongos, lisë së majmunëve dhe hepatitit me burim të panjohur. Përballemi me një sërë sfidash të frikshme, thatësirë, uri dhe luftë të nxitura nga ndryshimet klimatike, pabarazia dhe rivaliteti gjeopolitik”, tha kreu i OBSH-së.

Pasi u identifikua fillimisht në Britaninë e Madhe, më shumë se 80 raste me linë e majmunëve janë konfirmuar edhe në shtete të tjera të Europës, SHBA, Kanada, Australi dhe Izrael. Autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat kanë rekomanduar izolim 3-javor për persona të kontaktit me rrezik të lartë, thonë se virusi po përhapet në komunitet dhe se rastet po evidentoheshin te persona që nuk kishin historik udhëtimi në Afrikë.

Megjithatë, sipas tyre, rreziku për publikun e gjerë është ekstremisht i ulët, me rastet që po zbulohen kryesisht në disa zona urbane dhe mes burrave homoseksualë apo biseksualë. Edhe presidenti amerikan Joe Biden u përpoq të qetësonte amerikanët.

 “E kemi pasur linë e majmunit edhe në të kaluarën. Kemi vaksina për ta parandaluar atë dhe deri më tani nuk duket se nevojitet diçka tjetër. Nuk mendoj se kemi të bëjmë me nivel shqetësimi ashtu si në rastin e COVID-19”, deklaroi presidenti amerikan.  

Lija e majmunit, virus që është më i zakonshëm në zona të thella të Afrikës qendrore dhe perëndimore nuk përhapet me lehtësi mes njerëzve dhe shkakton kryesisht sëmundje të lehtë. Shumica e atyre që preken nga virusi e marrin veten në pak javë. Belgjika u bë i pari vend që njoftoi karantinë trejavore për të infektuarit, ditën e premte.