Rikthimi i tretë i Berishës, nga shpallja “non-grata” te përgjigjja: Never say never 

Përditësuar më: 23/5/2022, ora 15:35

Rikthimi i tretë i Berishës, nga shpallja “non-grata” te përgjigjja: Never say never 

Përditësuar më: 23/5/2022, ora 15:35

Largimi i liderit historik pas humbjes së zgjedhjeve 9 vite më parë për Sali Berishën rezultoi të mos ishte përfundimtar.

“Nuk do të dëgjoni nga unë kurrë një fjalim lamtumire sepse nuk do ta shkruaja dot kurrë”, deklaronte ai në fjalimin e largimit.

Ish-kryeministri vijoi të ishte në grupin parlamentar me zgjedhjet e 2017 dhe 2021, por “non grata” amerikane e ardhur pas 8 viteve opozitë në vend të kalimit të tij në pension politike, ishte thjesht shkëndija që ndezi rikthimin e tij në krye të selisë blu për herë të tretë. Paralajmërimi ishte dhënë në 25-vjetorin e themelimit të PD-së kur citonte Viktor Hygonë. Sikur një të mbeti, do mbetem njëri prej jush”.

Por qartazi Lulzim Basha nuk e donte më në krah Sali Berishën. Duke folur në emër të euroatlantizmit dhe të ardhmes, i “biri” provoi të vriste të “atin”.

Por çfarë nuk të vret, të bën më të fortë. Berisha nisi turin e foltoreve mes demokratëve ku shpalli hapur ambicien për të marrë drejtimin e PD-së. Me bindjen se rikthimet ishin të suksesshme Berisha, me firmat e anëtarëve, mblodhi kuvendin e 11 dhjetorit që vendosi shkarkimin e Bashës nga drejtimi i PD-së, vendim që u ratifikua nga referendumin e 1 jave më vone, teksa Lulzim Basha paralelisht mbante Kuvendin e tij.

Manovra politike e Berishës u konsiderua si nul nga lidershipi i PD-së, veprim ky që nuk paralajmëroi vetëm betejë në gjykatë, por solli një përplasje të pazakontë mes demokratësh në selinë e partisë së tyre në 8 janar, ku dyert e blinduara nga brenda tentoheshin të shpërtheheshin nga turma e zemëruara jasht.

Për të legjitimuar lëvizjen e liderit historik të demokratëve u deshën zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit që treguan mazhorancën brenda PD-së, ndërsa Kuvendi i pranverës shënoi hapat e fundit të atij që u quajt Rithemelimi i PD-së.

Pas një rrugëtimi të gjatë, me më shumë thinja se 9 vite me parë, por me të njëjtën grintë, Berisha u rikthye me mbi 40 mijë vota në drejtimin e PD-së dhe mesazhin e parë si kryetar e dha në anglisht.

“Never Say Never”, tha në mesazhin e tij përmbyllës.  Kurrë mos thuaj kurrë është dhe mesazhi ftues ndaj të rinjve dhe atyre që e shohin me skepticizëm drejtimin e PD-së prej tij, ndërsa hapjen e partisë e ka më të domosdoshme se kurrë.