KQZ nis punën për votën e diasporës, politika dakord por opozita mbetet skeptike

Publikuar më: 24/5/2022, ora 15:44

KQZ nis punën për votën e diasporës, politika dakord por opozita mbetet skeptike

Publikuar më: 24/5/2022, ora 15:44

KQZ nis punën për votën e diasporës, politika dakord por opozita mbetet skeptike

A do të mund të votojnë emigrantët shqiptar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare? Kësaj pyetje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi punë për t’i dhënë përgjigje duke ulur në tavolinë të gjithë aktorët politikë shqiptar. Ilirjan Celibashi nënvizoi që në hapje të fjalës se për një element kaq të rëndësishëm elektoral, konsensusi është një element i domosdoshëm.

“Pasiguria dhe mosbesimi që palët kanë kundrejt njëra-tjetrës për procesin zgjedhor brenda vendit, janë natyrshëm në një shkallë më të lartë në rastin e votimit nga jashtë. Në pikëpamjen time, votimi nga jashtë, veçanërisht në herën e parë të tij, ka si kusht të domosdoshëm pasjen e një konsensusi”, the Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.

Politika ishte pro kësaj nisme, por opozita nuk e fshehu skepticizmin. “Diaspora do të duhet të jetë një zonë zgjedhore e posaçme. Sot kemi 12 zona zgjedhore, duhet të kemi një të 13. Standardi i garancisë së mbrojtjes së votës siç është për shqiptarët brenda vendit, identifikimi biometrik, do të duhet të jetë me diasporën dhe me emigrantët”, tha Enkelejd Alibeaj.

Pasi kishte prezantuar Alibeajn si përfaqësues të PD, kreu i KQZ u mundua të evitonte situatën e brendshme në PD duke i dhënë fjalën Oerd Bylykbashit në cilësinë e ekspertit dhe ish-bashkëkryetar i komisionit të reformës Zgjedhore, ndërsa vetë demokrati nuk hezitoi të vendoste pikat mbi “i”-të e përfaqësimit. “Duke qenë se përfaqësoj PD e cila përfaqëson zgjedhës, me qindra mijëra zgjedhës të cilët duan të përcaktojnë ata me votë mënyrën e qeverisjes, unë besoj që nuk duhet të ketë më asnjë ekuivok për sa i përket hapave që duhen ndërmarrë. Votuesit shqiptar që jetojnë jashtë Shqipërisë janë grupi më i madh i votave të lira të çliruara nga patronazhistët, nga presionet e administratës zgjedhore nga krimi i organizuar”, tha Bylykbashi.

Kjo përplasje mes demokratëve ndodhi përpara syve të Yuri Kim. Diplomatja amerikane dëgjoi deri në fund qëndrimet si të Alibeajt të cilin e njeh si kryetar të komanduar të PD-së ashtu edhe të Bylykbashit i

cili është pjesë e Komisionit të Rithemelimit, ndërsa qëndrimet për votën e diasporës e kishte thënë më herët. “Siç thuhej në raportin e OSBE- ODIHR, zgjedhjet e 25 prillit të 2021 ishin të mira por nuk ishin perfekte. Të gjithë e dimë këtë. Ne nxisim fuqimisht punën serioze dy partiake për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të përmbushin standardet më të larta”, tha ambasadorja amerikane.

Në një linjë me diplomaten amerikane ishte Damian Gjiknuri i cili ftoi opozitën të vinte në Komisionin parlamentar për reformën zgjedhore, komision i cili ka tre muaj që është votuar por s’ka punuar asnjë ditë. “Përfitoj nga rasti ti bëj thirrje të gjithë palëve politike, që të marrin pjesë sa më shpejt në Komisionin e Reformës Zgjedhore, me qëllim që të fillojmë nga puna. Unë mendoj se kjo është një nga çështjet e para që duhet adresuar, pasi bëhet fjalë për gati 1/3 e elektoratit shqiptar”.

Në sallë ishte edhe Pandeli Majko, ish-Minsitër i Diasporës i cili në mandatin e vetëm të këtij dikasteri nuk ja doli të bënte realitet votën e diasporës, gjë për të cilën fajëson të tjerët. “Një grua ose është shtatzënë ose nuk është shtatzënë, grua pak shtatzënë nuk ka. Ligji ose do të zbatohet ose nuk do të zbatohet. Sot topi nuk është tek politika, është tek KQZ”.

Pavarësisht qëndrimeve të palëve, vota e diasporës kërkon ndryshime jo vetëm të Kodit Zgjedhor, por edhe të Kushtetutës, aq më tepër kur flitet për krijimin e një qarku të posaçëm zgjedhor.