Mblidhet katërshja e Indo-Paqësorit, Biden: Lufta në Ukrainë është shqetësim global

Përditësuar më: 24/5/2022, ora 15:09

Mblidhet katërshja e Indo-Paqësorit, Biden: Lufta në Ukrainë është shqetësim global

Përditësuar më: 24/5/2022, ora 15:09

“Bota po lundron në orë të errëta të historisë sonë të përbashkët”. Kështu iu drejtua Presidenti amerikan, Joe Biden, liderëve aleatë kryesorë të tij në Azi, duke folur për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Në fjalimin në fillim të samitit të katërshes së Indo-Paqësorit në Tokio, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se ky takim zhvillohet në kuadër të betejës së “demokracive kundër autokracive” dhe nënvizoi se duhet të sigurohen që t’ia dalin të fitojnë. Bashkë me liderët e Japonisë, Australisë dhe Indisë, për herë të parë që kur mori detyrën, Presidenti amerikan theksoi rëndësinë e ruajtjes së rendit ndërkombëtar përballë luftës që është shndërruar në çështje globale.

“Për sa kohë që Rusia vijon këtë luftë, Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët për të ndihmuar në organizimin e një reagimi, pasi do të prekë të gjitha pjesët e botës. Në të njëjtën kohë, SHBA-ja duhet dhe do të qëndrojë një partner i fuqishëm, i palëkundur dhe i qëndrueshëm në Indo-Paqësor”, tha Biden.

Kryeministri japonez, Fumio Kishida, mbështeti këtë deklaratë duke shtuar se një luftë e tillë nuk duhet të ndodhë në Azi. Aleanca joformale mes vendeve e njohur si “Katërshja”, diskutuan për çështje që lidhen me sigurinë dhe shqetësimet ekonomike, përfshirë rritjen e ndikimit të Kinës në rajon dhe dallimet për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Samiti vjen pasi Biden paralajmëroi Pekinin se po “flirton me rrezikun” për Tajvanin dhe u zotua ta mbronte shtetin ishull edhe ushtarakisht nëse Kina do ta sulmonte. Marrë shkas nga kjo, aleancat e katër vendeve njoftuan një iniciativë për një monitorim detar për të mbikëqyrur aktivitetet e vendit komunist në rajon, si dhe një plan prej 50 miliardë dollarësh për projektet e infrastrukturës dhe investimeve në 5 vitet e ardhshme.