Receta e FMN për krizën: Mbështesni të varfrit, jo borde e amnisti fiskale

Përditësuar më: 24/5/2022, ora 11:28

Receta e FMN për krizën: Mbështesni të varfrit, jo borde e amnisti fiskale

Përditësuar më: 24/5/2022, ora 11:28

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka lënë porosi të qarta për qeverinë shqiptare për të përballuar krizën e rritjes së çmimeve. FMN vlerëson se ekonomia jonë po përballet me presionet nga lufta në Ukrainë, përmes rritjes së menjëhershme të çmimeve dhe shtrenjtimit të kostove të borxhit të jashtëm. Duke u shprehur kundër funksionimit të bordeve të transparencës, Fondi Monetar rekomandon më shumë mbështetje për të varfrit, nëpërmjet ndërhyrjeve në buxhet.

“Është e nevojshme të jepet më shumë mbështetje e drejtuar për shtresat në nevojë dhe për ata që janë më të ekspozuar për t’i mbrojtur nga inflacioni. Duke marrë parasysh sfidat e bordit të transparencës që monitoron çmimet e disa artikujve ushqimorë bazë, ne e shohim me vend zëvendësimin e tij me mbështetje të mirorientuar për të varfrit dhe shtresat e ekspozuara”

Fondi Monetar Ndërkombëtar

FMN mbështet ndërhyrjet që qeveria po bën në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, që parashikon edhe taksimin e të vetëpunësuarve, si një nismë që vendos barazi më të madhe mes tatimpaguesve të cilët fitojnë lloje të ndryshme të ardhurash. Por Fondi shprehet kundër zbatimit të një amnistie fiskale.

“Ne ritheksojmë këshillën tonë kundër një amnistie të mundshme fiskale, duke pasur parasysh shqetësimet për ndikimin e saj në përmbushjen tatimore, si dhe rreziqet që lidhen me pastrimin e parave dhe administrimin tatimor”

Fondi Monetar Ndërkombëtar

Fondi Monetar Ndërkombëtar rekomandon gjithashtu, zbatimin e reformave vendimtare në sektorin energjetik, për t’i kthyer qëndrueshmërinë financiare ndërmarrjeve shtetërore.