Tensioni në kulm mes Turqisë dhe Greqisë, Erdogan: Mitsotakis nuk ekziston më për mua

Përditësuar më: 24/5/2022, ora 11:03

Tensioni në kulm mes Turqisë dhe Greqisë, Erdogan: Mitsotakis nuk ekziston më për mua

Përditësuar më: 24/5/2022, ora 11:03

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, thotë se nuk e njeh më Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, dhe refuzon të takohet me të.

Erdogan akuzoi Mitsotakis se do të përpiqet të bllokojë shitjen e avionëve luftarakë amerikanë F-16 kur të vizitojë Uashingtonin. “Në agjendën time nuk ekziston më një person i quajtur Mitsotakis”, tha Erdogan për gazetarët pas një takimi me kabinetin e tij. Nga ana tjetër, Greqia tha se nuk do të futet në “luftë deklaratash” me vendin fqinj.

Sherri i radhës mes dy shteteve vjen në një moment kur Turqia po kërcënon të bllokojë futjen e Suedisë dhe Finlandës në NATO. Ankaraja ka akuzuar dy shtetet nordike se ka mikpritur militantë kurdë, të cilët përbëjnë rrezik për Turqinë. Erdogan gjithashtu akuzoi Greqinë se ka mikpritur terroristë dhe ka deklaruar se futja e vendit në NATO ishte një gabim.

Tensionet mes dy shteteve u shtuan pasi Mitsotakis i bëri thirrje Kongresit amerikan që të mos shfuqizojë pezullimin e shitjes së avionëve luftarakë drejt Turqisë. Vendimi ishte marrë në vitin 2019 nga SHBA, pasi Turqia bleu sisteme mbrojtjeje kundërajrore S-400, nga Rusia.

Erdogan bëri thirrje që vende të treta të mos përfshihen në mosmarrëveshjet mes Ankarasë dhe Athinës dhe gjithashtu deklaroi se samiti i planifikuar për t’u zhvilluar gjatë këtij viti me kryeministrin grek, tashmë është anuluar.