Finalja e Conference League në Tiranë, pasqyrimi i mediave të huaja: dhunë, arrestime dhe armë

Publikuar më: 25/5/2022, ora 13:33

Finalja e Conference League në Tiranë, pasqyrimi i mediave të huaja: dhunë, arrestime dhe armë

Publikuar më: 25/5/2022, ora 13:33

Episodet e dhunës në Tiranë, në prag të finales së Conference League mes Romës dhe Feyenoord, kanë marrë vëmendje të madhe në mediat ndërkombëtare. Associated Press shkruan për përleshjet mes tifozëve të ekipit italian dhe atij holandez me policinë shqiptare, duke raportuar ndalimin e 60 mbështetësve, 48 të Romës dhe 12 të Feyenoord. Agjencia ndërkombëtare thekson se autoritetet shqiptare kanë marrë masa ekstreme paraprake për atë që konsiderohet një “ditë festive” dhe një ditë pa makina në zonën e qendrës së qytetit.

Reuters e vendos theksin tek efektivët e plagosur gjatë ndërhyrjes ku u shmang përleshja e drejtpërdrejtë mes dy tifozerive. “Corriere Dello Sport”, gazetë me qendër në kryeqytetin italian, e konsideron një guerilje të vërtetë urbane dhunën në Tiranë dhe raporton për 51 italianë të dëbuar.

Ndërsa “Gazzeta Dello Sport” raporton për të dëbuar edhe nga tifozët e Feyenoord pas përplasjeve me gurë, shishe dhe shkopinj. Kjo media thotë se alarmi mbetet ende i lartë në Tiranë dhe fokusohet tek episodi kur një polic shqiptar nxori armën në përpjekje për të ndaluar dhunën duke e drejtuar atë në nivelin e syve.

Sport Mediaset e vë theksin tek apeli i policisë shqiptare për të shmangur dhunën dhe tek raportimi se ata që shkaktojnë dhunë mund të përballen me 7 vite burg. Media holandeze “De Telegraaf” raporton rastet e dhunës duke shkruar se forcat shqiptare të rendit përdorën dhe gaz lotsjellës gjatë incidenteve. Gjithashtu, citon shqetësimet e Princit Leka dhe pakënaqësitë e tij me sjelljen e tifozëve të Feyenoordit. Edhe mediat e tjera holandeze kanë raportime të ngjashme për situatën në kryeqytetin shqiptar.