Stelios Kerasidis dhe “Symphonic Rebetiko” jehojnë muzikën e tyre në shesh

Publikuar më: 25/5/2022, ora 11:39
KR KONCERTI I ARTISTI GREK frame 1432 1280x720

Stelios Kerasidis dhe “Symphonic Rebetiko” jehojnë muzikën e tyre në shesh

Publikuar më: 25/5/2022, ora 11:39

Imagjinoni një vend të trashëgimisë botërore, një vend antik dhe një piano vendosur në një zonë shkëmbore ku kaltërsia e detit pushton pamjen, po aq sa edhe qielli blu. Në piano është një djalë 9-vjeçar Stelios Kerasidis, një djalë që ka fituar zemrat e të gjithë atyre që e kanë parë të luajë në piano qoftë edhe vetëm njëherë. Artisti Stelios Keraditis, ka mbërritur edhe në vendin tonë.

“Jam shumë i lumtur që kam mbërritur në Tiranë. Kam disa ditë në Shqipëri dhe kam vizituar disa vende, si Gjirokastra, Syri i Kaltër dhe disa destinacione shumë të bukura për të regjistruar një klip për natyrën. Më pëlqen shumë Shqipëria. Një natyrë shumë e bukur, njerëzit që i ndjej se më duan shumë se më kanë pritur shumë mirë. Dhe ushqimi gjithashtu më pëlqen shumë. Edhe sot në koncert, jam emocionuar”, rrëfen ai.

9-vjeçari që po arrin të surprizojë botën për mënyrën se si interpreton, këto dy vitet e fundit ka mahnitur edhe më shumë kritikët e muzikës klasike me kompozimet e tij. Ai ka shkruar “Isolation Waltz”, dedikuar periudhës së vështirë kur bota u mbyll për shkak të pandemisë, më pas Valsin e Rilindjes që u krijua si një thirrje për të menduar më shumë për natyrën dhe mjedisin, kur izolimi nga koronavirusi mbaroi dhe së fundmi edhe një himn kundër luftës në Ukrainë.

“Nis të luaj në piano, e më ndodh që një ngjarje e rëndësishme të më frymëzojë për të vijuar edhe disa momente të tjera. Kështu kam kompozuar këto tri vepra që ju përmendët, ndonëse kam edhe të tjera, por këto janë frymëzuar nga momentet në të cilat kam jetuar këto vitet e fundit dhe emocione që unë i shpreh përmes pianos”.

A mendon se muzika është aq e fuqishme sa të influencojë në botë për çështje kaq të rëndësishme?

“Unë ndjej se shumë mendime duhen shprehur dhe unë e bëj këtë duke shprehur emocionet e mia përmes një kompozimi dhe lojës në piano. Sigurisht, nuk e di sa mund të ndikojë, por muzika ime ka pasur me vete edhe mesazhet sikurse edhe emocionet. Shpresoj të ketë fuqinë të ndryshoj botën”.

Stelios Kerasidis ka performuar në skena shumë të mëdha në botë, por duket entuziast edhe për emocionet që ndien nga Sheshi Skënderbej në Tiranë ndonëse nuk i ngjan Teatrit të Vjenës apo Parisit, The Royal Albert Hall of London apo duartokitjeve në New York ku ai ka interpretuar.

Stelios ia ka lënë skenën më pas Symphonic Rebetiko, një grupimi artistësh që tanimë janë pjesë e pandashme e traditës popullore greke, si një orkestër e përfshirë së fundmi në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në UNESCO.

Gjatë interpretimit të tyre, në Sheshin Skënderbej, nisi të dëgjohej ezani që thërret myslimanët të kryejnë ritet e tyre fetare, çka ka bërë që koncerti të ndërpritet një minutë për të rinisur sërish me duartrokitjet në respekt të tolerancës fetare.

Symphonic Rebetiko prej 15 vitesh performon këngë të njohura për traditën muzikore greke të Smirnit dhe Konstandinopojës, por në Tiranë kanë perfomuar edhe këngë shqiptare.