Këshillimi i karrierës, Shyti: Qëllimi është të orientohet i riu drejt asaj që bën më mirë

Publikuar më: 25/5/2022, ora 21:29
shytiOK 1280x720

Këshillimi i karrierës, Shyti: Qëllimi është të orientohet i riu drejt asaj që bën më mirë

Publikuar më: 25/5/2022, ora 21:29

Ermira Shyti, drejtuese e komponentit të karrierës, nga projekti RisiAlbania, shpjegoi rolin e këshillimit të karrierës në jetën e të rinjve.

“Në tregun e punës po ndodhin ndryshime dhe të rinjtë kanë nevojë që të gjejnë veten e tyre në këtë treg pune dhe këtu është roli i këshillimit të karrierës. Por, ky këshillim ka një sfidë aktualisht në vendin tonë: të kuptuarin e këtij shërbimi në vetvete dhe të kuptuarin e rëndësisë së këtij shërbimi, qoftë nga të rinjtë, qoftë nga punëdhënësi. Këshillimi i karrierës është një proces shumë i rëndësishëm për të rinjtë dhe ka përgjegjësinë e tij, pasi i riu do të orientohet drejt një profesioni të caktuar”, tha Shyti në “A2 Business”.

“Nëpër botë, ka një trend që fokusi të mos jetë vetëm te grupet e të rinjve në një moment të caktuar, por të zgjerohet edhe për të rriturit. Është një shërbim i tillë që ndihmon të orientohet edhe i gjithë sistemi i të mësuarit gjatë gjithë jetës. Është tendenca për të shkuar drejt jo vetëm shërbimeve si konsultime individuale, por drejt pajisjes së të rinjve me ato aftësi për të menaxhuar vetë karrierën e tyre”, shtoi Shyti.

Sipas saj, “kryesorja e këshillimit të karrierës është që të orientohet i riu drejt asaj që di të bëjë më mirë dhe asaj që është i motivuar për të bërë”.