Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Masakra e Teksasit, 19 fëmijë dhe 2 të rritur vriten nga një 18-vjeçar

Nga A2 CNN
25 Maj 2022, 10:23 | Bota
Masakra e Teksasit, 19 fëmijë dhe 2 të rritur vriten nga një

Amerika është në gjendje shoku, pas masakrës në shkollën fillore të Uvalde në Texas. 19 fëmijë dhe dy të rritur, mes të cilëve një mësuese, u vranë në një sulm me armë zjarri nga një adoleshent 18-vjeçar, i identifikuar si Salvador Ramos. Agresori, i armatosur me pistoletë, armë gjysmë automatike Ar-15 dhe fishekë të kapacitetit të lartë, hapi zjarr në shkollën fillore të Robb në qytetin e Uvalde, ku mësojnë fëmijë nga 7 deri në 10 vjeç. Adoleshenti dyshohet se kishte qëlluar fillimisht gjyshen e tij para se të mësynte me breshëri plumbash shkollën, e më pas u vra nga policia.

“Rreth orës 11 e 32 të paradites pati një sulm me armë zjarri në shkollën fillore të Rob. Atje ka fëmijë të klasës së dytë, të tretë dhe të katërt. Konfirmoj se ka disa të plagosur e po ashtu viktima. I dyshuari ka vdekur. Mbi bazë të informacioneve të deritanishme mund të themi se ai ka vepruar i vetëm në këtë krim të tmerrshëm", deklaroi shefi i Policisë Petear Redondo.

Sipas autoriteteve, autori kishte zbritur nga automjetet me armë zjarri dhe jelek antiplumb, ishte përpjekur të hynte në shkollë duke tejkaluar një postobllok policor dhe kishte filluar të qëllonte në disa klasa para se të ndalohej nga efektivët dhe të vritej në vend. Për Ramos dihet ende pak; ishte një student liceu në zonë dhe pak para masakrës kishte kontaktuar me një të panjohur në Instagram për t’i thënë se ishte duke bërë diçka, por pa e saktësuar se çfarë.

Në llogarinë e tij në Instagram, vrasësi kishte postuar një selfie e foto armësh, përfshirë dy pushkë të cilat sipas mediave i kishte blerë për ditëlindje.

I tronditur dhe me lot në sy, presidenti Joe Biden iu drejtua amerikanëve dhe Kongresit për të kërkuar veprim kundër lobit të armëve.

“Si komb, ne duhet të ngremë pyetjen: Në emër të Zotit, kur do të ngrihemi kundër lobit të armëve? Kur do ta bëjmë atë që të gjithë e dimë se duhet bërë?”.

Armët tejkaluan aksidentet rrugore, duke u bërë shkaku kryesor i vdekjeve te fëmijët dhe adoleshentët në vitin 2020, sipas të dhënave të qendrës për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve. Ngjarja ishte e fundit në radhën e masakrave të ngjashme në SHBA, më e rënda prej të cilave ishte ajo në shkollën fillore të Sandy Hook në vitin 2012, ku u vranë 26 vetë, 20 prej të cilëve nga mosha 5-6 vjeç.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani