Përplasen tifozët dhe policia, masa përforcuese për finalen Roma-Feyenoord

Publikuar më: 25/5/2022, ora 09:48

Përplasen tifozët dhe policia, masa përforcuese për finalen Roma-Feyenoord

Publikuar më: 25/5/2022, ora 09:48

Festa e madhe e Conference League qëlloi të ishte e dhunshme për Tiranën. Huliganët nga të dyja anët treguan atë që dinë të bëjnë më mirë, dhunë dhe trazira.

Eventi më i madh sportiv i organizuar ndonjëherë në Shqipëri vuri përpara një sfidë të madhe, organizatorët e saj. Tifozët e dy ekipeve ishin ndarë nga ana e policisë në dy zona të veçanta të Tiranës, ata të Romës në ish-Bllok, ndërsa ata të Feyenoord pranë kalasë së Tiranës.

Kalimi i orëve duket se shtoi entuziazmin e tifozerive nga të dyja anët për më shumë aksion. Aksion jo si të ekipeve të tyre në fushën e blertë, por në rrugët e kryeqytetit.

Kjo situatë duket se i doli nga duart policisë së shtetit, e cila për herë të parë përballet me një situatë të tillë. Punonjës policie me uniformë e pa uniformë u vunë nën sulmin e huliganëve.

Ngjarja ishte e tensionuar. Kamera amatore ka filmuar punonjës të policisë pa uniformë që i drejtojnë armën tifozëve.

Justifikimin e këtij veprimi, punonjësit e policisë mund ta gjejnë te sulmi që iu bë automjetit të tyre, vetëm pak metra larg Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Për mbi 60 minuta konfrontimi u spostua në disa zona të Tiranës. Policia arriti të shpërndante turmat e tifozëve, ngjarje këto që duket se ia prishën gjumin edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Deri në orët e para të së mërkurës, Gledis Nano, qëndroi pranë pedonales “Murat Toptani”, zonë në të cilën tifozët e Feyenordit tregonin dashurinë e tyre jo vetëm për ekipin e zemrës.

Listrat e birrës me shumicë dhe përplasja me policinë nxori në pah bilancet e para të dëmeve fizike. Tetë punonjës të Policisë së Shtetit, tre tifozë të Romës dhe një i Feyenordit përfunduan në urgjencën e spitalit të Traumës, fatmirësisht që të gjithë jashtë rrezikut për jetën.

Menaxhimi i të dëmtuarve ishte parashikuar që të bëhej në dy spitale të ndara. Te Trauma do të merrnin ndihmë mjekësore italianët, ndërsa holandezët në spitalin tjetër shtetëror. Kjo për një arsye të thjeshtë, frika nga një konflikt i mundshëm ndërmjet tyre.

Situata e pragfinales së Conference League kaloi me gjysmë sukses, ndërsa policia dhe strukturat e tjera organizative janë përballë orëve vendimtare, zhvillimi i ndeshjes dhe menaxhimin e tifozëve pas përfundimit të saj ku mëria e humbësve dhe ekzaltimi i fituesve mund ta trazojë edhe më shumë kryeqytetin.