Ministri i Drejtësisë, z.Ulsi Manja pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, në një komunikim me gazetarët ka lajmëruar për një udhëzim të miratuar, sipas të cilit janë përcaktuar rregullat për heqjen dorë nga rekurset e depozituara në Gjykatën e Lartë dhe të pashqyrtuara ende nga administrata shtetërore në përgjegjësi të Këshillit të Ministrave, për çështje me natyrë civile dhe administrative.
“Me këtë udhëzim, sapo të hyjë në fuqi, ne presim që Gjykata e Lartë të lehtësohet nga rreth 3800 dosje që presin të gjykohen, ndërkohë 1 mijë të tjera janë akoma në proces”, është shprehur Ministri i Drejtësisë. Sipas tij, në Gjykatën e Lartë ka një stok me rreth 35 mijë dosje, i krijuar në vite edhe gjatë kohës kur ajo funksiononte me kapacitet të plotë. “Prej katër vjetësh, stoku i dosjeve të pashqyrtuara në Gjykatën e Lartë, është raportuar si problematik. Ky stok dosjesh nuk lindi sot, ka ekzistuar edhe në kohën kur Gjykata e Lartë funksiononte me kapacitet të plotë, por erdhi dhe u rëndua pas boshatisjes së Gjykatës së Lartë për shkak të procesit të vetingut, ku nga 19 gjyqtarë, me dorëheqje, apo për shkak të largimit prej procesit të vetingut, Gjykata e Lartë, për disa kohë ishte jo funksionale”, ka thënë z.Manja, duke shtuar më tej se tashmë situata ka ndryshuar, teksa në Gjykatën e Lartë ushtrojnë funksionet 13 gjyqtarë, ndërkohë që janë në proces nga Këshilli I Lartë Gjyqësor edhe plotësimi i vakancave të tjera.
Sipas tij edhe me ndihmën e USAID, Gjykata e Lartë ka nisur lehtësimin e stokut, por megjithatë ai vazhdon të mbetet i lartë, ndërkohë që udhëzimi i miratuar nga qeveria, është një lehtësim i madh për punën e gjykatës.
Manja ka sqaruar se udhëzimi ka të bëjë jo vetëm me administratën shtetërore, por edhe me shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, aty ku shteti ka mbi 50 për qind të aksioneve, apo të kuotave. “Përgjithësisht rekurset nga duhet hequr dorë kanë të bëjnë me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të punës, me njohjen, apo vërtetimin e vjetërsisë në punë, apo në paditë me shpërblim dëmi. Po ashtu udhëzohen të heqin dorë edhe nga paditë e tjera, ku pavarësisht kërkimeve shteti e ka humbur në të dy shkallët e gjykimit çështjen. Një grup tjetër do të jenë paditë që pavarësisht kërkimeve kanë ngelur pa objekt, apo paditë e tjera ku pavarësisht kërkimeve, nuk garantohet sukses në Gjykatën e Lartë për shkak të qëndrimeve unifikuese që kanë mbajtur kolegjet e gjykatës së lartë në të kaluarën. Do të hiqet dorë edhe nga çështjet me natyrë administrative që kanë të bëjnë me ndryshim, shfuqizim, apo konstatim të pavlefshmërisë absolute të akteve administrative, apo kur detyrohet organi administrativ për të nxjerrë aktet. “Kushti i vetëm për heqjen dorë nga rekurset, ka të bëjë me vlerën e disponimit të gjykatës. Në çdo rast vlera e disponimit të gjykatës nuk duhet të jetë më tepër se sa 40 fishi i pagës minimale”, ka shpjeguar Manja, I cili ka falënderuar për bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë për nxjerrjen e këtij udhëzimi Gjykatën e Lartë, Avokatin e Popullit dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit. (A2 Televizion)