Rikthehet normaliteti pas ndeshjes, kafe në vend të birrave të tifozëve

Publikuar më: 26/5/2022, ora 16:41

Rikthehet normaliteti pas ndeshjes, kafe në vend të birrave të tifozëve

Publikuar më: 26/5/2022, ora 16:41

Tirana i rikthehet normalitetit. Pas pushimit të kushtëzuar nga finalja e Conference League, banorët e kryeqytetit i kthehen punës dhe aktivitetit të përditshëm. Edhe qarkullimi ka hyrë në rrjedhën e zakonshme të tij.

Përditshmërisë i është kthyer edhe pedonalja, zona që të mërkurën e ndeshjes ishte vetëm e tifozëve holandezë.

Tashmë vendin e miqve e kanë rimarrë të zotit e shtëpisë. E kjo duket edhe në kafet e shumta të servirura që herët në mëngjes, ndonëse për bizneset e mërkura e finales ishte “ditë e artë”.

Përgjatë pedonales ka ende tifozë, italianë dhe holandezë. Këta të fundit edhe pse të mërzitur nga rezultati i ndeshjes thonë se duan të shijojnë birrën tonë dhe kohën më diell para se të largohen nga Shqipëria. “Ne humbëm dhe jam i mërzitur për këtë. Por tani po kaloj shumë mirë kohën këtu para se te largohem. Tirana më pëlqeu, nuk kisha qenë më parë”, thotë një tifoz.

Ndërsa italianët nuk fshehin lumturinë e fitores por as vlerësimin për skuadrën kundërshtare dhe veçanërisht për Tiranën mikpritëse. “E mora flamurin e Feyenoord sepse është një kujtim i finales që fituam. Shiko, kam blerë edhe flamurin shqiptar, do t’i marr me vete në shtëpi. Jemi të lumtur që fituam kupën, gjetëm një qytet shumë të bukur dhe të pastër. Do të rrimë këtu gjithë ditën sot, dhe do të ikim nesër?”.