13 familjarë të luftëtarëve të ISIS iu dorëzohen autoriteteve shqiptare

Publikuar më: 27/5/2022, ora 14:44

13 familjarë të luftëtarëve të ISIS iu dorëzohen autoriteteve shqiptare

Publikuar më: 27/5/2022, ora 14:44

13 shtetas shqiptarë, 4 gra dhe 9 fëmijë, u janë dorëzuar autoriteteve shqiptare. Lajmin e njoftoi fillimisht në rrjetet sociale drejtuesi i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë të Administratës Autonome të Sirisë Veriore dhe Lindore (AAENS) Dr. Abdulkarim Omar.

Sipas tij, dorëzimi i 13 shtetasve shqiptarë, fëmijë dhe bashkëshorte të luftëtarëve të ISIS, është bërë te një delegacion i shtetit shqiptar, pas një marrëveshjeje të nënshkruar mes AAENS dhe Republikës së Shqipërisë.

Drejtori i Antiterrorit Alban Dautaj dhe oficeri Indrit Doda – i cili deri tani ka zhvilluar 4 operacione riatdhesimi – ndodheshin prej 9 ditësh në Siri, deri në përfundim të misionit.

“Falënderojmë edhe një herë autoritetet për mundësinë që na dhanë që qeveria të riatdhesojë 13 shtetas shqiptarë të cilat gjendeshin në kampet e administruara nga autoritetet vendase. Shpreh falënderimin për autoritetet në luftën ndaj terrorizmit. U jemi mirënjohës për çka na keni ofruar për të kryer me sukses riatdhesimin e këtyre shtetasve dhe shkëputjen e tyre nga një ambient terrorist dhe fillimin e një jete të re”, tha Dautaj.

Sipas informacioneve të siguruara nga gazetari i A2 CNN, Julian Kasapi, mes personave të liruar nga kampi famëkeq Roj janë pjesëtarë të familjes Stafasani, të cilët pritet të riatdhesohen së shpejti.

Ndërkohë, mësohet gjithashtu se nga kampi Al Hawl, ka mundur të dalë edhe Oljada Gicaj, vajza e Myrvete Dibrës, gruaja e një prej shqiptarëve të cilët ishin bërë pjesë të ISIS vite më parë. Vajza e mitur, sot 16-vjeçare, ishte vetëm 8 vjeç kur u dërgua në Siri, për t’u bërë pjesë e “Kalifatit”.

Muaj më parë, A2 CNN mundi të sigurojë mesazhet që ajo i dërgonte tezes së saj në Shqipëri. “Akoma nuk jemi nisur, por është e sigurt që Shqipëria do të na marrë? Kemi frikë të nisemi se nuk e dimë nëse do të vijmë andej. Teze, inshallah do ta lënë mamin që të flasë me ty…”, shkruante në gusht 2021 e mitura.

Në kampin Al Hawl vijojnë të qëndrojnë 17 persona shumica fëmijë. Mes të mbeturve në kampin e ferrit është Eva Dumani, Myrvete Dibra me 2 fëmijë, Hajrije Taushani me 2 fëmijë, Elona Shuli së bashku me 2 motrat, vëllain dhe djalin e saj të mitur, si dhe Emanuela Daci me 3 fëmijë.