Boris Johnson për Putin: Si mund të diskutosh me krokodilin, teksa po të ha këmbën?

Publikuar më: 27/5/2022, ora 14:00
johnson putin 1280x720

Boris Johnson për Putin: Si mund të diskutosh me krokodilin, teksa po të ha këmbën?

Publikuar më: 27/5/2022, ora 14:00

Kryeministri britanik, Boris Johnson, thotë se Rusia po bën përparim të ngadaltë, por të dukshëm, në Donbas. Në një intervistë me “Bloomberg”, Johnson pranoi se Rusia nuk do të ndalej në luftën e saj.

“Kam frikë se Putin – me kosto të lartë për të dhe ushtrinë ruse – do të vijojë të marrë terren në Donbas. Atje, ai po bën përparim gradual, të ngadaltë, por kam frikë, të dukshëm. Prandaj është absolutisht jetike që të vijojmë të mbështesim Ukrainën ushtarakisht”, tha Johnson.

Johnson gjithashtu hodhi poshtë mundësinë e negocioatave me Putin, pasi tha se presidentit rus nuk mund t’i zihet besë. “Si mund të diskutosh me një krokodil, ndërkohë që ai po të kafshon këmbën e majtë. Atij nuk mund t’i zihet absolutisht besë”.

Kryeministri raportohet të ketë premtuar dërgesa të tjera me sisteme raketore për Ukrainën, për t’i mundësuar ushtrisë së saj që të godasë objektivat ruse nga një distancë edhe më e largët. Sipas raportimit ditor të Ministrisë britanike të Mbrojtjes, rusët po rrethojnë disa qytete në krahinën e Donbasit, ku ndodhen edhe dy të ashtuquajtura Republika Popullore të Donetskut dhe Luhanskut.

Sipas informacioneve të britanikëve, Rusia ka futur në këto zona rreth 50 tanke T-62, modele të vjetra që tregojnë se vendi ka mungesë pajisjesh moderne për shkak të humbjeve që ka pësuar në Ukrainë.