Edy Reja zbulon objektivin në Nations League

Publikuar më: 27/5/2022, ora 13:49
reja 1280x720

Edy Reja zbulon objektivin në Nations League

Publikuar më: 27/5/2022, ora 13:49

Nga Islanda te Islanda. Nga një skuadër në emergjencë, si ajo e 8 qershorit 2019, te një Kombëtare që tani ëndërron të sigurojë vendin mes më të mirave të Europës. Shqipëria nis aventurën në Nations League me objektivin që të fitojë grupin në Ligën B dhe të ngjitet në Ligën A.

“Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për të arritur objektivin. Synojmë ta fitojmë grupin. Janë dy ndeshje jetike për Shqipërinë. Nuk duhet të kemi rënie përqendrimi, si në të kaluarën, nëse duam të jemi të parët në Ligën e Kombeve. Islandezët janë të fortë fizikisht, teksa izraelitët janë më të shpejtë dhe më teknikë. Janë dy rivalë me karakteristika të ndryshme. Por, jemi përballur me skuadra me cilësi të veçanta dhe ia kemi dalë mirë. Nëse fitojmë grupin dhe nga Liga B të sigurojmë kalimin në Ligën A, do të ishte një punë kolosale. Sepse në harkun e dy edicioneve do të kalonim nga niveli i tretë, në të parin”, tha trajneri Edy Reja.

Nga Strakosha te Broja, për të vijuar me Baren, Manajn dhe Laçin. Problemet për tre sfidat e qershorit nuk mungojnë: “Strakosha po kalon një moment delikat. Është në përfundim të kontratës dhe derisa të gjejë një zgjidhje për të ardhmen, më kërkoi të mos rrezikonte të dëmtohej. Për shkak se po negocion me disa klube, vendosëm të mos e ndërlikojmë këtë situatë dhe gjetëm një marrëveshje që Thomas të qëndronte në listën e pritjes. Broja është me Covid dhe i izoluar në shtëpi. Presim të bëjë testin dhe shpresojmë ta rikuperojmë për ndeshjen me Izraelin, edhe pse duket e vështirë. Manaj ka probleme me shpatullën, Laçi është operuar pak orë më parë, Bare po ashtu është i dëmtuar. Kam besim se lojtarët e grumbulluar do të na ndihmojnë të arrijmë rezultate pozitive. Jemi në një nivel serioz dhe duhet të bëjmë hapin cilësor. Nuk kemi më alibi. Duhet të bëjmë dy ndeshje shumë të mira”.

Trajneri Reja foli edhe për finalen e Conference League, të luajtur në Tiranë. Edhe pse një idhull te Lazio, ai argumentoi përse bëri tifo për Romën: “Tifozët e Lazios do të më falin për një rast, por m’u bë qejfi që fitoi Roma. Së pari, sepse triumfoi një skuadër italiane dhe padyshim sepse Kumbulla mori medaljen e fituesit. Do të dëshiroja që djaloshi të luante në finalen e Conference League, vetëm për këtë më vjen keq. Kisha pak frikë prej incidenteve përpara ndeshjes. Por, duke qenë se edhe unë jam shqiptarizuar, u treguam mjaft të aftë për të organizuar një event të tillë. Na dha shumë kënaqësi fakti që u luajt një finale e tillë në këtë stadium të mrekullueshëm të Tiranës”.  

Nga Islanda te Islanda?

“Kanë kaluar dy vjet e gjysmë nga ajo ndeshje. U hakmorëm në ndeshjen e kthimit dhe aty fituam pak entuziazëm në rrugëtimin tonë. Do të më pëlqente të vijonim në këtë linjë. Humbëm për një gjysmë gabimi, por jemi në rritje dhe duhet ta tregojmë. Kemi një mentalitet paksa sipërfaqësor. Nuk ka ndeshje të fituara pa u luajtur. Nëse duam të jemi konkurrues në arenën ndërkombëtare, duhet të luajmë ndaj çdo kundërshtari sikur kemi përballë ekipin më të fortë në botë. Nëse rregullojmë këtë pjesë, mund t’ia dalim”, tha Reja.