Mediu në Rumani: Krahasimet mes Kosovës dhe Ukrainës, të pabaza

Publikuar më: 27/5/2022, ora 16:00

Mediu në Rumani: Krahasimet mes Kosovës dhe Ukrainës, të pabaza

Publikuar më: 27/5/2022, ora 16:00

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u prit në takim nga Kryeministri Rumun Nicolae Ciucă, bashkë me përfaqësuesi të Kongresit Amerikan, parlamentit Britanik dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE.

Mediu falënderoi kryeministrin rumun për mbështetjen që Rumania i ka dhënë Shqipërisë në anëtarësimin në NATO dhe negociatat për BE-në. Kryeministri Rumun shprehu mbështetjen për përfshirjen e  Shqipërisë në nisma të rëndësishme siç është ajo e “3 Deteve”, e cila mbas pushtimit të Ukrainës merr një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin dhe shmangien e varësisë energjetike të Europës nga Rusia dhe ndikimi Kinës.

Gjatë takimit në parlament rumun, Mediu, së bashku me deputetin socialist Toni Gogu, morën pjesë në  konferencën për sigurinë. Në këtë konferencë, merrnin pjesë deputetë nga gjithë vendet e Europës Juglindore, parlamenti britanik dhe SHBA-ja.

Si bashkëorganizator i këtij aktiviteti me deputetë të parlamentit rumun, Mediu vuri theksin se çështjet e sigurisë janë shumë komplekse dhe kërkohet që parlamentet të përfshihen gjerësisht. Ai theksoi se Putin në mënyrë të paligjshme sulmoi Ukrainën duke kërkuar të destabilizojë gjithë Europën. Duket qartësisht se në këtë përpjekje, Rusia ka një aleancë të qartë me Kinën.

Ai vuri në dukje se armatosja e Serbisë nga Rusia dhe Kina duke shpenzuar rreth 3% të GDP pa pasur asnjë lloj kërcënimi, prania e Rusisë dhe Kinës në rajon, problemet në Bosnjë-Hercegovinë, qëndrimi për shkëputje të Republika Srpska në koordinim me Moskën, frenimi i dialogut Kosovë-Serbi dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës e bëjnë Ballkanin shumë të brishtë. “Krahasimet që bëhen ndërmjet Kosovës dhe Ukrainës janë krejt pa baza dhe tregojnë qartë që Rusia kërkon të krijojë tensione në Ballkan”, tha Mediu. “Samiti i NATO-s ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe kërkon që vendet anëtare të NATO-s në Ballkan të dalin me qëndrim të përbashkët për të shmangur influencat dhe tensionet e mundshme të stimuluara  prej Rusisë dhe Kinës”.