Qeveria hoqi dorë nga rekurset në Gjykatën e Lartë, Berisha: Po amnistohet mafia e pronave

Publikuar më: 27/5/2022, ora 12:22

Qeveria hoqi dorë nga rekurset në Gjykatën e Lartë, Berisha: Po amnistohet mafia e pronave

Publikuar më: 27/5/2022, ora 12:22

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën e tij të përjavshme me gazetarët, deklaroi se vendimi i qeverisë për heqjen dorë nga rekurset e depozituara në Gjykatën e Lartë dhe të pashqyrtuara ende nga administrata shtetërore në përgjegjësi të Këshillit të Ministrave, për çështje me natyrë civile dhe administrative, vulos kapjen e Gjykatës së Lartë nga Edi Rama.

“Denoncoj me ashpërsinë më të madhe vendimin e fundit të Edi Ramës, me të cilin dëshmon se Gjykatën e Lartë e ka kapur përmes Sadushit të tij. Rama dhe Sadushi i tij kanë zgjedhur drejtësinë “sui generis” për qytetarët shqiptarë dhe ky është një turp. Rama përvetëson pronat e shqiptarëve përmes vendimeve të gjykatave dhe ushtarëve të tij në administratë. Do të filtrohen rekurset sipas porosive që Agaçi do të shpërndajë sipas urdhrave të Ramës, që tashmë vendos publikisht kontrollin mbi sistemin gjyqësor. Në mungesë transparence, në shkelje të Kushtetutës, Këshilli i Ministrave vendos që për të gjitha institucionet në varësi të tij, të hiqet dorë nga rekursi në Gjykatën e Lartë për çështje me natyrë administrative apo civile. Pra, mafia e tmerrshme e pronave amnistohet, nuk shkon më në Gjykatë të Lartë. Mjafton qesja në Apel, se sipër ia ka zgjidhur Rama”, deklaroi Berisha.

“Ky vendim, sipas Ramës, bëhet për të lehtësuar stokun e çështjeve në Gjykatën e Lartë. Vlera e kësaj tërheqjeje është miliarda euro dëm për pasurinë publike dhe qytetarët. Në emër të Reformës në Drejtësi, qeveria po koordinohet me Gjykatën e Lartë, për të krijuar favore për persona juridikë të caktuar. Prapa këtij vendimi qëndrojnë klanet mafioze të tokave dhe kontrabandës”, shtoi Berisha.

Sipas tij, me këtë vendim të qeverisë, “Shqipëria pushon së funksionuari si një shtet me drejtësi me tre shkallë”.

“Shkallë supreme e drejtësisë, tani e tutje është Edi Rama, që me këtë vendim turpi është bërë gjykatësi suprem. Një ditë, mund ta gjesh veten pa pronë apo pa ortakëri në biznes, sepse nuk ftohesh më në gjyq. As në kohërat më të errëta të diktaturës nuk ka ekzistuar kjo formë kaq perverse”, theksoi Sali Berisha.