Zelensky akuzon Moskën për gjenocid në Donbas. Vriten 9 civilë në Kharkiv

Publikuar më: 27/5/2022, ora 07:23
zelensky 4 1 1280x720

Zelensky akuzon Moskën për gjenocid në Donbas. Vriten 9 civilë në Kharkiv

Publikuar më: 27/5/2022, ora 07:23

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Moskën për kryerjen e një gjenocidi në rajonin lindor të Donbasit, ku qyteti i Sievierodonetsk po përjeton një sulm të bombardimeve ruse.

Në fjalimin e tij të fundit kombëtar, Zelensky tha se sulmi brutal i Rusisë në Donbas mund ta lërë të gjithë rajonin të pabanuar.

 “Ofensiva aktuale e pushtuesve në Donbas mund ta bëjë rajonin të pabanuar. Ata duan të djegin e të bëjnë hi Popasna, Bakhmut, Lyman, Lysychansk dhe Severodonetsk, si Volnovakha, si Mariupoli”, tha Zelensky

Në qytetet më afër kufirit rus si Donetsk dhe Luhansk, forcat ruse “mbledhin të gjithë ata që munden për të mbushur vendin e të vrarëve dhe të plagosurve në kontingjentin pushtues”, shtoi ai.

“E gjithë kjo, duke përfshirë dëbimin e popullit tonë dhe vrasjet masive të civilëve, është një politikë e dukshme gjenocidi e ndjekur nga Rusia”, vijoi më tej presidenti ukrainas.

Zelensky tha se ushtrimi i presionit ndaj Rusisë “është një çështje e shpëtimit të jetëve” dhe se çdo vonesë, mosmarrëveshje ose propozim për “të qetësuar” Rusinë çon në “ukrainas të rinj të vrarë” dhe kërcënime të reja për të gjithë në kontinent.

Ndërkohë nëntë persona, përfshirë një foshnjë 5-muajshe, u vranë në Kharkiv të enjten mes “granatimeve të dendura” në zonat e banuara pranë qendrës së qytetit. Lajmi ëhstë konfirmuar nga  kreu i administratës ushtarake të rajonit Kharkiv, Oleh Synyehubov.

Sipas tij, në mesin e të vrarëve ishte “një familje që thjesht po ecte në rrugë, një burrë mbante në duar foshnjën e tij pesëmuajshe, teksa humbi jetën. Nëna e foshnjës është plagosur rëndë dhe tani është në spital. Synyehubov shtoi se përveç të vrarëve, 19 kanë mbetur të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë 9-vjeçar.

Ai përshkroi gjithashtu artilerinë e përdorur dhe tha se shënjestrimi i zonave të banuara në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës mund të ishte vetëm për qëllimin e “terrorizimit” të banorëve vendas.