Konferenca për mbrojtjen nga sulmet në internet

Përditësuar më: 28/5/2022, ora 19:35

Konferenca për mbrojtjen nga sulmet në internet

Përditësuar më: 28/5/2022, ora 19:35

Mbrojtja nga sulmet kibernetike dhe gatishmëria e ekspertëve shqiptarë për t’u përballur me to ishin disa nga pikat kryesore që u trajtuan në konferencën “BSides Tirana”. Një nga organizatorët shpjegon qëllimin e këtij takimi ku A2 CNN ishte partner mediatik dhe pati pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Austria, Danimarka, Polonia dhe Bullgaria.

“BSides Tirana është një konferencë për sigurinë kibernetike, është hera e parë që vjen në Shqipëri dhe është fokusuar te pjesa teknike. Për momentin kemi folës nga Ballkani dhe Anglia. Temat kryesore janë sulmet kibernetike dhe mbrojtja prej tyre”, thotë Rio Sherri, organizator i konferencës. “Qëllimi kryesor është të mbledhim komunitetin e sigurisë kibernetike në Shqipëri, për të lidhur me kompanitë dhe për t’i dhënë mundësi punësimi”.

Pjesëmarrja e grave në sigurinë e informacionit është gjithashtu e rëndësishme. “Duhet të kemi barazinë gjinore, si pjesë të komunitetit të sigurisë kibernetike. Në të gjithë botën roli i grave e vajzave si pjesë e këtij komuniteti është rreth 20%”, thotë Paulina Çakalli, një tjetër organizatore e konferencës. “Familjarët duhet t’i mbështesin vajzat dhe gratë që të bëhen pjesë e sigurisë kibernetike, sepse jo vetëm është fitimprurëse, por është si të gjitha fushat e tjera, ku ulesh e mëson dhe arrin aty ku duhet”.

Më të prekurit ndaj sulmeve në internet mbeten fëmijët, të cilët bie pre e mashtruesve, pedofilëve apo grupeve të caktuara që organizojnë lojëra që rrezikojnë edhe jetën e të miturve, por sigurisht që prindërit i kanë mundësitë të kontrollojnë aktivitetin e fëmijëve në internet.

“Do të sugjeroja do të inkurajoja të gjithë prindërit të mos lënë pajisje me akses në internet për fëmijët, të cilat nuk kanë “parental control”. Çdo pajisje mund të konfigurohet që fëmijët të mos kenë akses në materiale që nuk janë për ta”, thotë Arjon Nikollori, ekspert IT. “Nëse fëmija kap diçka që nuk është e autorizuar nga prindërit, atëherë atij i vjen një njoftim në telefon”.

Sistemi bankar është gjithashtu një prej sektorëve më të rrezikuar nga ky fenomen dhe çdokush që kryen transferta bankare apo bën blerje online duhet të jetë i sigurt për një veprim të tillë. “Sulmet në përgjithësi ndodhin me pjesën e ekspozuar, në rastet kur klientë të caktuar blejnë produkte online dhe aty vendosin të dhënat e tyre personale. Në këto raste klientët duhet të kenë parasysh që faqja të jetë autentike”, thotë Renglend Xhango, ekspert IT. “Por klientët duhet të bëjnë kontrolle periodike në llogaritë e tyre bankare. Megjithatë, pjesa e sigurisë në sistemin bankar është një degë ku investohet fort”.

Dhe ata që i kryejnë këto sulme ndaj fëmijëve apo zotëruesve të llogarive bankare, por edhe personat që dinë të mbrohen më mirë prej tyre, ndodhen në shtetet më të fuqishme ekonomikisht.

Të rinjtë që prezantuan platformat e tyre, patën mundësinë edhe të shkëmbenin eksperiencat, duke u

njohur me risitë në strategjitë e mbrojtjes së informacionit.

Konferenca synonte edhe nxitjen e garës mes tyre. Në përfundim të konkursit u shpallën edhe fituesit. Megi Basha, analiste e sigurisë së informacionit dhe dy inxhinierët Ledio Bërdëllima e Anxhelo Lushka ishin edhe personat që fituan konkursin “kape flamurin”, duke përfituar kështu të drejtën e trajnimit për një vit në një platformë akademike në fushën e informacionit.