Mesazhe nga një piano

Publikuar më: 28/5/2022, ora 17:09

Mesazhe nga një piano

Publikuar më: 28/5/2022, ora 17:09

Teatri antik i Dodonës është nga teatrot antike më të mëdha, ruajtur me devotshmëri nga ata që e duan kulturën, trashëgiminë kulturore dhe skena që ende sot janë magjike. Ky teatër me kapacitet rreth 18000 spektatorë ishte pjesë integrale e tempullit të Dodonës dhe për vizitorin që arrinte aty nga jugu nuk dukej se ishte një monument i ndërtuar në shek. III, në një valë ndërtimesh ambicioze që realizoi Pirroja i Epirit.

Tingujt që dëgjoni të interpretohen mjeshtërisht nga ky djalë janë ato të një kënge të vjetër epirote. Ndërsa 9-vjeçari në piano është Stelios Kerasidis. Nëse kërkoni për të në rrjetin e madh të fijeve të internetit do të kuptoni botën shpirtërore të një muzikanti që e do natyrën, paqen dhe të gjitha i manifeston përmes muzikës së tij.

Imagjinoni një vend të trashëgimisë botërore, një vend antik, një qytetërim gati 6000-vjeçar dhe një piano vendosur në një zonë shkëmbore ku kaltërsia e detit pushton pamjen po aq sa edhe qielli blu. Në piano është 9-vjeçari Stelios Kerasidis që shijon fuqinë e natyrës, të trashëguar që nga shekulli i gjashtë para Krishtit, një peizazh fantastik.

Kjo është panorama e dhjetë sekondave të para kur ulesh të dëgjosh e të shijosh krijimin e këtij djali të talentuar dhe të përkushtuar që ka fituar zemrat e të gjithë atyre që e kanë parë të luajë në piano qoftë edhe vetëm një herë.

9-vjeçari që po arrin të surprizojë botën për mënyrën se si interpreton, këto dy vitet e fundit ka mahnitur edhe më shumë kritikët e muzikës klasike, pedagogët në të gjithë botën, muzikantët dhe interpretët që e duartrokasin po aq sa edhe dashamirësit e muzikës klasike.

“Renaissance Waltz”, por ky kompozim, i cili u xhirua edhe në Shqipëri gjatë qëndrimit të Kerasidis këtu, u krijua si një thirrje për të menduar më shumë për natyrën dhe mjedisin, tani që izolimi nga koronavirusi mbaroi. Një mesazh që nuk na e dha vetëm pandemia, por edhe Stelios Kerasidis përmes muzikës së tij në piano.

Më herët, ai ka shkruar edhe “Isolation Waltz”, dedikuar periudhës së vështirë kur bota u mbyll në emër të jetës. E po kështu në emër të jetës është edhe krijimi i fundit që vjen si një mesazh kundër luftës. Stelios Kerasidis, gjithë këto mesazhe i përcolli edhe në Tiranë përmes interpretimit të tij pianistik.

I duartrokitur nga skenat më moderne e deri te amfiteatrot antike të Greqisë, Stelios Kerasidis tregon se nuk ka rëndësi se ku interpreton, në Teatrin e Vjenës a përballë publikut të Parisit, në The Royal Albert Hall of London apo në Nju-Jork, online apo fizikisht, ai interpreton njëlloj edhe në Tiranë, me të njëjtën përgjegjësi dhe me të njëjtin shpirt që i bashkëngjit muzikës së tij.

Për Stelios Kerasidis, fituesin e çmimeve të para në kompeticionet ku ka marrë pjesë, artistin e miliona klikimeve në të gjithë botën, për pianistin “prodigy” siç e quajnë disa, kjo është dita kur gjithçka e mirë duhet pritur me buzëqeshje.