Ndërron jetë ish-Presidenti Bujar Nishani

Publikuar më: 28/5/2022, ora 14:31

Ndërron jetë ish-Presidenti Bujar Nishani

Publikuar më: 28/5/2022, ora 14:31

Bujar Nishani, ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare, pas një  beteje disamuajore me Covid-19. Lajmi është konfirmuar për A2 CNN nga 4 deputetë të PD-së, si dhe Edith Harxhi, e cila ka mbajtur kontakte kohët e fundit me familjarët e ish-Presidentit.

Zoti Nishani u shua këtë të shtunë në një spital në Gjermani, ku ishte dërguar para një muaji, pas rëndimit të gjendjes shëndetësore. Më herët ai u shtrua në Sanatorium por gjendja e rëndë e mushkërive i detyroi familjarët për ta nxjerrë jashtë vendit.

Bujar Nishani ishte Presidenti i gjashtë i Shqipërisë pas pluralizmit. Ai u zgjodh në drejtimin e shtetit në vitin 2012 dhe shërbeu në këtë detyrë  përgjatë një mandati të plotë deri në vitin 2017. Zoti Nishani ishte anëtar i lartë i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe ka shërbyer si deputet nga radhët e kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2005 deri në vitin 2009.

Ai ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm dhe atë të ministrit të Drejtësisë. Pas lajmit të hidhur, të shumta kanë qenë mesazhet e ngushëllimit nga kolegët demokratë, Kryeministri Edi Rama, kreu shtetit Ilir Meta dhe përfaqësues të lartë të politikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Bujar Nishani lindi më 29 shtator 1966 dhe mandatin presidencial, ai e mori me fillim në 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017.

Studimet e larta, Bujar Nishani i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, në vitin 1988. Ka kryer studimet pasuniversitare në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”, në vitin 1996. Studioi për Jurispudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua si jurist në vitin 2004. Në vitin 2005 merr titullin “Master”, në Studimet Evropiane, në Shkollën e Studimeve Evropiane, pranë Universitetit të Tiranës.

Karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988. Më pas, në vitin 1993 punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke vazhduar në vitin 1994 në Ministrinë e Jashtme në Drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n dhe në vitin 1996 në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1997, ai kthehet në profesion të lirë si Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë.

Karriera politike e zotit Bujar Nishani ka kaluar nëpër këto etapa: në vitin 1991 anëtarësohet në Partinë Demokratike; në vitin 2001 zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën; në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike; në vitin 2005, zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie.

Në korrik të vitit 2005, zoti Nishani zgjidhet deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike.

Nga marsi 2007 – shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm; nga shtatori 2009 – prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë; për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012, kohë në të cilën Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit.

Më 11 qershor 2012, Kuvendi e zgjodhi President të Republikës së Shqipërisë në raundin e katërt me 73 vota pro dhe 1 votë kundër. Në 24 korrik 2012, Bujar Nishani betohet në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës.

Gjatë mandatit të tij, Nishani ishte përqendruar në procesin e integrimit evropian të vendit dhe sfidat globale që prekin Shqipërinë, siç është kriza e imigrantëve ose luftimi i ekstremizmit islamik dhe radikalizmit. Ai u zgjodh në vitin 2012, i cili përkujtoi 100 vjetorin e krijimit të Shqipërisë së pavarur dhe ishte një festë një vjeçare.

Gjatë shumicës së vizitave shtetërore jashtë vendit, Nishani ishte orientuar maksimalisht në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, duke përmendur mbështetjen e saj për pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha aktivitetet multilaterale rajonale dhe ndërkombëtare.