Vdekja e Nishanit, Berisha: Shërbëtor i qytetarëve dhe vendit, përfaqësoi kombin dhe Shqipërinë me dinjitet të veçantë

Publikuar më: 28/5/2022, ora 16:01
Presidenti Bujar Nishani dhe Ish kryeministri Sali Berisha gjate nje pritje ne Pallatin e Brigadave me rastin e 103 Vjetorit te Pavaresise. 1 1022x720

Vdekja e Nishanit, Berisha: Shërbëtor i qytetarëve dhe vendit, përfaqësoi kombin dhe Shqipërinë me dinjitet të veçantë

Publikuar më: 28/5/2022, ora 16:01

Sali Berisha e quajti “ikonë të vlerave më të larta morale të njeriut” ish-Presidentin Bujar Nishani, të ndarë nga jeta këtë të shtunë në një spital në Gjermani, ku ishte shtruar prej disa javësh.

Në një mesazh të gjatë në Facebook, Berisha vlerësoi rolin dhe kontributin e kolegut dhe aleatit të tij brenda Partisë Demokratike, të cilin e ka pasur edhe në rolin e ministrit të Brendshëm në kabinetin e tij gjatë viteve që ishte Kryeministër.

“Ai ishte burrështetasi i shquar, që përfaqësoi kombin dhe Shqipërinë me dinjitet të veçantë dhe urtësi në arenën ndërkombëtare, duke i dhënë nder dhe vlerë institucionit të Presidentit, shtetit dhe qytetarëve shqiptarë”, shkroi Berisha.

“Ish-Presidenti Bujar Nishani në këto 30 vite, si një shërbëtor i qytetarëve dhe vendit të tij përmbushi me nder detyra të rëndësishme. Bujar Nishani ishte gjithashtu një drejtues i shkëlqyer dhe efecient e i dashur i Partisë Demokratike, deputet, ministër, dhe kandidat i votuar për President të Republikës nga mazhoranca e kësaj partie”.

Personalisht unë kam pasur te Bujar Nishani njërin prej bashkëpunëtorëve më të afërt, më të aftë, më të dashur dhe më të çmuar, më të virtytshëm që do të mbetet gjithmonë në memorien time si mirënjohje e thellë për bashkëpunimin e ngushtë që kemi pasur, si krenari e veçantë që pata një mik fisnik si ai.

Ndaj sot është një ditë zie dhe dhimbje e thellë për familjen, që humbën bashkëshortin dhe prindin e tyre të mrekullueshëm e shembullor, për miqtë dhe të afërmit e tij që humbën një mik të dashur që do t’iu mungojë gjithmonë, për PD që humbi njërin prej drejtuesve më të talentuar, për shtetin dhe kombin shqiptar që humbën sot shërbëtorin besnik dhe të përkushtuar, shtetarin e aftë e të ndershëm, patriot e fisnik”, shtoi Berisha.