Biden dorëzohet para presionit të Putin, lë pa armë Ukrainën

Publikuar më: 30/5/2022, ora 17:53

Biden dorëzohet para presionit të Putin, lë pa armë Ukrainën

Publikuar më: 30/5/2022, ora 17:53

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dorëzohen përballë presionit të Rusisë. Ndryshe nga sa ishte raportuar më herët, presidenti Joe Biden, konfirmoi se Pentagoni nuk do të dërgojë në Ukrainë sisteme të avancuara raketore me rreze të mesme, për ta ndihmuar atë në luftën kundër Rusisë. Një vendim që duket se është marrë për të shmangur që harta e konfliktit të zgjerohej përtej kufijve të Ukrainës.

“Ne nuk do të dërgojmë në Ukrainë sisteme raketore që mund të sulmojnë Rusinë”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Nuk ka vonuar dhe reagimi i Moskës. Zëvendës presidenti i Këshillit të Sigurisë në Rusi, Dmitry Medvedev, e konsideroi “të arsyeshëm” vendimin e presidentit amerikan për të mos furnizuar Ukrainën me sistem raketor me rreze të mesme. “Në rast se do të sulmoheshin qytetet e saj, Rusia, do të godiste qendra të vendimmarrjeve kriminale, disa prej të cilave shumë larg nga Kievi”, paralajmëroi ish-presidenti rus.

Më herët, ambasadori rus në SHBA, Anatoly Antonov, paralajmëroi se dërgesa e sistemeve të reja të raketave në Ukrainë do të interpretohej nga Moska si një “përshkallëzim i konfliktit” dhe një “provokim”.

Vendimi i Biden është një goditje e rëndë për ushtrinë ukrainase. Presidenti Volodymyr Zelensky bën vazhdimisht thirrje për më shumë armë për ti bërë ballë ofensivës ruse në Donbas. Forcat e Kievit po përdorin aktualisht Howitzer-at amerikan M777 të cilat kanë rreze veprimi prej 25 kilometrash. Por sistemi i shumëfishtë raketor MLRS, do të lejonte Ukrainën të arrinte shënjestra më të largëta. Ai mund të lëshojë një seri municionesh, me më të avancuarit që janë në gjendje të godasin objektivë deri në 300 km larg. Por ai mund të lëshojë edhe raketa me rreze të shkurtër prej 70 kilometrash.

Sakaq Danimarka, furnizoi Ukrainën raketa kruz Harpoon, me rreze prej 130 km për mbrojtjen e Odesës, porti kyç në Detin e Zi.