Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Kanabisi, modeli maqedonas - 31 Minuta

Nga A2 CNN
30 Maj 2022, 21:31 | Aktualitet

Shqipëria shumë shpejt pritet të bëhet shteti i 23 në Europë që legalizon kanabisin për qëllime mjekësore. Qeveria ka nisur punën për hartimin e kuadrit ligjor se si do të funksionojë kjo industri edhe pse në të shkuarën Shqipëria është konsideruar shumë shpesh si një ndër vendet e origjinës dhe trafikut ndërkombëtar të hashashit.

Maqedonia e Veriut është shembulli më i afërt, shtet i cili legalizoi kanabisin për qëllime mjekësore në vitin 2016. Anketa e këshillimit kombëtar vendosi në Shqipëri ndërsa për fqinjët tanë ndodhi ndryshe edhe pse motivet për vendimin ishin thuajse të njëjta.

“Ne vitin 2016 partia politike që tani është në opozitë, në momentin kur lëkundej dhe ishte e izoluar, filloi disa projekte që dukeshin si megaprojekte, por në esencë ishin projekte që të linin të dyshoje, një ndër to ishte në vitin 2016, ku Maqedonia u bë shteti i 14 në Europë që legalizuam vajin e kanabisit”, tregon ekonomisti Abil Baush. “Momenti kur thuhej se në Maqedoni do kemi një biznes, një diamant të ri, dhe se do të kemi punësime, do tërheqim investime të huaja. Dhe atëherë nuk ishte e qartë dhe ligji i vitit 2016 kishte të meta të mëdha. U paraqitën 5 ndërmarrje që morën licenca dhe gjatë periudhës kohore arriti numrin në 70 biznese që aplikonin. Morën 35 kompani por që vetëm 5 funksionojnë”.

Edhe pse fillimisht u lëshuan 67 licenca për të bërë të mundur prodhimin dhe përpunimin e vajit të kanabisit vetëm njëra prej tyre eksporton në Bashkimin Evropian. Falimenti i shumë prej kompanive të tjera bëri që grupet kriminale të ndërhyjnë në emër të legalizimit.

“Që nga legalizimi i kanabisit për nevoja mjekësore në Maqedoninë e Veriut, në buletinin e ministrisë së Punëve të Brendshme janë rritur rastet e tregtimit në të zezë të këtij lloj produkti. Pra kemi keqpërdorime të mëdha. Gati çdo javë dhe shumë shpesh jemi dëshmitarë përmes mjeteve të informimit se u vodh kaq kanabis atje kaq kanabis këtu, çka do të thotë se ky lloj biznesi rrit faktikisht tregtinë tregun e zi e bën më të vëllimshëm qasjen e individëve qytetarëve të rinjve fatkeqësisht te ky lloj produkti e bën më të afërt keqpërdorime më të mëdha dhe mendoj që ne si shtet dhe ne si rajon nuk do duhet ta orientojmë një përfitim të mundshëm ose financiar te ky lloj biznesi. Veç, kësaj ajo që mbetet akoma më e rëndë për Maqedoninë e Veriut është impakti i dobët në ekonomi”, thotë deputeti i Partisë Aleanca Shqiptare, Elmi Aziri.

“Legalizimi i kanabisit në Maqedoni fatkeqësisht është një histori e trishtuar. Ne jemi në vitin e 7 të legalizimit dhe në një kohë që duhej të ishim në një situatë të favorshme ose fitimprurëse jemi në të kundërtën kjo për shkak të kornizës së keqe ligjore që u prezantua në vitin 2016”, thotë Janaki Mitrovski, avokat, aktivist i shoqërisë civile.

https://a2news.com/2022/04/07/ajo-qe-qytetaret-kane-thene-do-te-behet-rama-do-te-legalizojme-kanabisin-per-qellime-mjekesore/
https://a2news.com/2020/05/16/legalizimi-i-kanabisit-ne-shqiperi-perfitimet-dhe-rreziqet/

Sipas legjislacionit të Maqedonisë së Veriut të gjitha kompanitë që morën licence duhej vetëm të eksportonin vaj kanabisi.

“Nga viti 2016 deri më tani kemi dhe 7 shtete të tjera të cilat e kanë legalizuar rritjen dhe prodhimin e kanabisit mjekësor. Nga viti 2016 deri më tani ligji nuk ka ndryshuar asnjë moment. Industria zhvillohet, rritet, standardet po ashtu dhe sigurisht që duhet ndjekur industria. Problemi është se qeveria lejoi dhe akordoi shumë licenca pa rregullimet e duhura. Në vitin 2016 kishim ligjin ku ishim i vetmi vend në botë që në listën e mjekimeve nga kanabisi ishim vetëm 4 sëmundje dhe i vetmi vend në botë që pacientëve i duheshin dy rekomandime mjeku për të marrë këto medikamente për vetëm 4 sëmundje”, thotë Zlatko Keskovski, CEO i kompanisë NYSK.

Në vitin 2016 u bënë amendamentet ligjore por vendi ishte i përfshirë në një krizë politike pasi VMRO DPMNE si parti në pushtet dhe konservatore po kërkonte votues të rinj. Pas vitesh satanizimi të kanabisit krejt papritur u prezantuan amendamentet në ligjin mbi lëndët narkotike. Amendamente këto që lejonin përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore. 

“Por korpusi ligjor ishte jo i përshtatshëm dhe ishte mjaft e lehtë të kuptoje se e gjitha bëhej për një kompani të cilën nuk do e përmend për arsye etike, një kompani farmaceutike që të kishte monopolin e tregut. Ishte shumë e thjeshtë të kuptoje dhe standardet e larta të cilat u vendosën standarde të cilat janë në fuqi dhe sot”, thotë Janaki Mitrovski, avokat, aktivist i shoqërisë civile.

U tentuan dhe rregullime të ligjit ekzistues por edhe ato dështuan.

“Në vitin 2019 kemi zgjedhje por në atë kohë është qeveria tjetër opozitare dhe në këtë moment partia në pushtet, LSDM, çoi një draft të ri ëe ligjit për vajin e kanabisit, ishte i modifikuar, i ishin hequr disa pengesa mendohej se do hapej një agjenci për licencat, por ne momentin që hyri në procedureë parlamentare erdhën zgjedhjet, pandemia etj. Mund të kultivosh vajin por ke pengesa të mëdha që të bën mos ta eksportosh”, thotë ekonomisti Abil Baush.

“Qeveria bëri rregullime se edhe cilat formulime një pacient duhet të marrë për kurën. Diçka e tillë nuk ka ndodhur në shtete të tjera sidomos në shtete e bashkuara apo dhe në vende më konservsatore si Polonia. Doktorët mund të lëshojnë receta për atë që ata mendojnë se kanabisi mund të kurojë dhe kjo nuk mund të shkojë për shtat me opinionin e shtetit. Në rastin e Maqedonisë doktorët nuk janë plotësisht të lirë të lëshojnë receta kanabisi për sëmundjet apo disa sëmundje që ndihmojnë pacientët. Për shembull në Maqedoni është e ndaluar të ketë receta për Parkinson për Alzheimer për Astma edhe pse sëmundja e parë që kanabisi mjekësor është përdorur është Astma. Në Maqedoni nuk ke asnjë shans të përdorësh medikamente për Astmën. Pra kuptoni, asgjë nuk u zhvillua në ligj në rregullatorë”, thotë Zlatko Keskovski, CEO i kompanisë NYSK.

https://a2news.com/2022/04/09/legalizimi-i-kanabisit-meta-enderr-e-vjeter-e-rames-ligjeron-kriminalizimin-e-shtetit-dhe-i-ve-kazmen-bujqesise/
https://a2news.com/2022/05/11/legalizimi-i-kanabisit-nuk-ka-njoftim-per-brukselin-cuci-ka-qene-proces-publik/

Të gjendur përballë një situate të tillë ku rregullat e brendshme lejojnë vetëm medikamente për 4 sëmundje dhe jo për të gjithë listën e miratuar nga organizata botërore e shëndetësisë tregu u orientua drejt eksportit aty ku ishte dhe qëllimi kryesor.

“Ne si subjekt politik qe kur erdhi ky ligj në parlamentin tonë ne kemi qenë kundër. Kemi qenë kundër për shkak se arsyetimi mendoj se nuk qëndron, thelbi i legalizimit të këtij biznesi nuk qëndron te motivet mjekësore por sipas bindjes sonë qëndron te motivet ekonomike dhe financiare. Për shkak se sasia e prodhimit për shembull që është e legalizuar në vendin tonë nuk mund të përdoret e tëra ajo sasi nga nevojat e mjekësisë vendore, pra shumica e atij prodhimi është e destinuar për eksport të vetëm që nënkupton ka të bëjë me dimensionin ekonomik financiar dhe jo atë shëndetësor”, thotë deputeti i Partisë Aleanca Shqiptare, Elmi Aziri.

Si një ndër vendet e para që legalizoi kanabisin për qëllime mjekësore, Maqedonia e Veriut shpresonte që rritjen ekonomike ta kishte pikërisht përmes eksportit të vajit të kanabisit. Problemeve ligjore u janë shtuar dhe standardet GMP të cilat çdo kompani duhet të arrijë. Sipas të dhënave zyrtare Praktika e Mirë e Prodhimit ose (GMP) përshkruan standardin minimal që një prodhues i barnave duhet të përmbushë në proceset e tij të prodhimit. Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) koordinon inspektimet për të verifikuar përputhjen me këto standarde dhe luan një rol kyç në harmonizimin e aktiviteteve të GMP në nivel të Bashkimit Evropian.

“Kjo shpesh krijon konfuzion mes qytetarëve sepse kanabis përgjithësisht është një bimë shumë e njohur në Ballkan njerëzit e dinë nga shtëpia nga historia por  ky është një biznes farmaceutik, duhet të kesh kontroll të plotë të procesit duhet të garantosh procesin të garantosh çdo pikë të tij. Është standardi i njëjtë. Kontrollet e përditshme, ajri, ambienti çdo 15 sekonda sepse duhet të vërtetosh para rregullatorëve europianë. Ne së shpejti do të kontrollohemi nga inspektorati farmaceutik Polak për të marrë një licencë europiane prodhimi dhe më pas Bashkimi Evropian mund të na njohë si prodhues, pas saj ju mund të shisni. Kjo procedurë zgjat nga dy në tre vite. Është më e lehtë në Bashkimin Evropian se keni vetëm një stad por në rastin tonë dhe të Shqipërisë duhet të kaloni dy stade. i pari është i brendshëm, do inspektohen nga agjencia shqiptare farmaceutike dhe e barnave dhe kur merrni atë licencë ju do aplikoni për atë Evropiane dhe disa shtete Evropiane ku ju do të shisni produktet do vijnë dhe do ju inspektojnë ju. Që këto inspektime të kryhen ju do prisni nga 6 muaj deri në 1 vit”, tregon Zlatko Keskovski, CEO i kompanisë NYSK.

Për të kuptuar më shumë se çfarë do të thotë prodhim farmaceutik dhe cilat janë standardet e kërkuara nga bashkimi evropian, stadet e prodhimit dhe kualifikimit kalojnë në disa faza.

Vështirësia e prodhimit të kanabisit mjekësor nënkupton dhe investime të mëdha ndërsa për këtë kompani fatura financiare e krijimit ka nisur të sjellë përfitimet e para pas 6 vitesh.

Së pari nuk duhet vetëm të investosh në godinë, kjo fabrikë është një prej fabrikave më të mëdha me rritjen e brendshme të bimëve një prej më të mëdhave në botë për kategorinë e saj dhe në Maqedoni ky investim ka kushtuar 25 milionë euro së bashku me kostot operative 27 milionë euro.

Pas gati 7 viteve eksperiencë në fushën e legalizimit të kanabisit mjekësor, Maqedonia e Veriut është ende në pritje të rritjes ekonomike e cila deri më sot nuk ndihet mes qytetarëve.

“Shqipëria as nuk duhet ta sjellë këtë ligj fare. Gama e përdoruesve rritet dhe më pas fillojnë presionet publike për legalizim dhe në një farë forme kthemi në rajone të kanabizuara ku lulëzoin kanabisi, lojërat e fatit dhe të gjitha këto sjellin dëm për shoqërinë. Jam i bindur që kostoja sociale dhe familjare do jetë shumëfish më e madhe se përfitimet ekonomike dhe mjekësore. Ne e dimë që funksionojmë në shtet me institucione shumë te ekspozuara na ndikimet nga jashtë. Rajoni jonë është ne vendet e para për lulëzimin e korrupsionit. Është shumë e vështirë që  kultivimi i kësaj bime të kufizohet në ato korniza të pjesëve të tokës apo firmave që u jepet dhe në këtë mjedis kaq të brishte ku mosbesimi është shumë”, thotë Elmi Aziri, deputet i Partisë Aleanca Shqiptare.

Kjo është eksperienca e Maqedonisë së Veriut me legalizimin e kanabisit, modeli më i afërt për Shqipërinë. Por cilat janë pritshmëritë e qeverisë që synon ta miratoje ligjin deri në korrik, sipas ministres së Financave, edhe pse homologu i saj i saj maqedonas porositi gjate vizitës në Tiranë që Shkupi kishte dështuar me këtë nismë?

“Nuk ka dhënë rezultatet e duhura për shkak të legjislacionit që kemi në fuqi, ku lejohet vetëm prodhimi dhe eksporti i vajit të kanabisit dhe nuk kemi teknologjinë dhe tregun e duhur nga ana e investitorëve që janë duke bërë investimet për këtë. Pothuajse nuk ekziston eksporti i këtij produkti. Duhet ndërhyrje në rregullore dhe legjislacion për të lehtësuar tregtinë për këtë produkt”, tha ministri i Financave të Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. “Qeveria ka nisur punën për legjislacionin që do të shoqërojë legalizimin, s’kemi draft të përfunduar, ta përmbyllim brenda këtij sesioni parlamentar”, tha Delina Ibrahimaj, Ministre e Financave.

Pse e kundërshton opozita? Çfarë ndryshimesh ligjore duhen bërë për të miratuar këtë nismë që ka ngjallur jo pak debate? Si e pret biznesi, dhe çfarë efektesh do të ketë për ekonominë shqiptare sipas ekspertëve? A i ka Shqipëria kapacitetet e duhura për të zhvilluar këtë biznes? Çfarë mendojnë mjekët për kanabisin për qëllim mjekësor dhe histori të përdorimit në Shqipëri për kurim, edhe pse kjo ka qenë e paligjshme.

Përgjigjet e të gjitha këtyre pyetjeve do t’i merrni në pjesën e dytë të programit “31 Minuta”.

https://www.youtube.com/watch?v=G3i2LJa3Kvs

A2 CNN Livestream

Dita jonë