Pronat e ushtrisë, Xhaferaj përplaset me Peleshin

Publikuar më: 30/5/2022, ora 14:47

Pronat e ushtrisë, Xhaferaj përplaset me Peleshin

Publikuar më: 30/5/2022, ora 14:47

Pronat e Ushtrisë përplasën demokratin Ferdinand Xhaferaj me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi. Interpelanca e thirrur nga deputeti i PD-së, si shqetësim kryesor kishte dhënien me qira të bazave ushtarake për projekte turistike.

Xhaferaj akuzoi ministrin se rreth 67% të sipërfaqes së bazave është nxjerrë nga plani i përhapjes së Ushtrisë, në kundërshtim me ligjin.

“VKM nr 2020 ka nxjerrë nga plani i përhapjes pa miratimin e Presidentit 133 hektarë nga 200 hektarë që është sipërfaqja e 4 bazave detare, Pashalimani, Kepi i Palit, Shëngjinit dhe Porto Palermos. Me të kuqe është çfarë kanë lënë, me të kuqe çfarë kanë grabitur”, tha Xhaferaj duke nxjerrë edhe një foto me hartat e bazave dhe tokave që sipas tij janë dhënë me qira.

Ministri Peleshi mohoi akuzat, të cilat i cilësoi si spekulime, ndërsa si përgjigje për deputetin kishte një krahasim shifrash me qeverinë e shkuar të demokratëve. “Para vitit 2013 janë dhënë 93 prona, po flas me gjuhën tuaj sepse këto shifra nuk flasin shumë për korrupsion. Pas vitit 2013 janë dhënë vetëm 5 prona me qira”.

Një tjetër problem, sipas Peleshit, qëndron te kthimet e pronave me vendim gjykate të kryera para vitit 2013, që sipas tij janë bërë në mënyrë kaotike, duke u njohur pronarëve toka që ndodhen në mes të bazave ushtarake.