Rusët përparojnë në Donbas, Lavrov: Çlirimi i rajonit lindor, prioritet absolut i Rusisë

Publikuar më: 30/5/2022, ora 13:08

Rusët përparojnë në Donbas, Lavrov: Çlirimi i rajonit lindor, prioritet absolut i Rusisë

Publikuar më: 30/5/2022, ora 13:08

Trupat ruse po avancojnë drejt qëndrës së Severodonetsk në lindje të vendit, pasi hynë më herë në periferinë e qytetit strategjik. Autoritetet rajonale thonë beteja se po zhvillohet atje është shumër ashpër, dhe flasin për situatën tejet të vështirë.

Përmes një postimi në Telegram kreu i rajonit të Luhansk, Sergei Gaidai, bën të ditur se ushtarët e vrarë ruse nuk zhvendosen dhe era e dekompozimit ka përfshirë zonën.

Në një videomesazh të publikuar gjatë natës, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha se forcat e rezistencën po luftojnë fort për të sprapsur ofensivën ruse, dhe se beteja po zhvillohet rrugë më rrugë. Sipas tij, e gjithë infrastruktura kritike në qytetin e Severodonetskut ishte shkatërruar. 

“Rusia ka grumbulluar të gjitha forcat në Donbasin tonë dhe është përgatitur mirë për të avancuar atje. Ata duan të na marrin lirinë, godinat dhe jetën. Pas sulmeve ruse në Severodonetsk infrastruktura kritike e qytetit është shkatërruar. 90 për qind e godinave janë të dëmtuara dhe më shumë se 2/3 e zonave rezidenciale janë rrafshuar plotësisht. Nuk ka linja komunikimi dhe bombardimet nuk ndalen”, tha Zelenski.

Një shpërthim i fuqishëm goditi edhe qendrën e qytetit lindor të Melitopol, e po ashtu Mikolavi u vu në shënjestër të sulmeve ajrore të Moskës. Por për Rusinë, lufta në Donbas nuk bëhet për aneksimin e territoreve, por për çlirimin e tyre nga trupat ukrainase.

Në një intervistë për median franceze TFI, ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov tha se prioriteti absolut për Rusinë është çlirimi i rajoneve të Donetsk dhe Luhansk, që siç tha janë tanimë shtete të pavarura. 

“Synimi ynë është të largojmë batalionet ukrainase nga këto rajone. Nuk bëhet fjalë për aneksim. Bëhet fjalë për një operacion ushtarak që është kërkuar nga Republikat Popullore të Donetsk dhe Luhansk”, tha Lavrov.

Shefi i diplomacisë së Moskës shtoi se dyert për rinisjen e dialogut me perëndimin nuk janë të mbyllura.

“Presidenti Vladimir Putin nuk refuzon kurrë kontaktet me kolegët e huaj”, shtoi më tej Lavrov.

Sakaq, presidenti Zelenski shkarkoi shefin e sigurisë në Harkiv, pasi siç tha, nuk ka punuar për sigurinë e qytetit. Të dielën, numri një i Kievit vizitoi trupat ukrainase në vijën e parë të luftës në Harkiv dhe u pa teksa inspektonte godinat e dëmtuara dhe një rrugë ku kanë mbetur një numër automjetesh të djegura. Kjo ishte vizita e patë e Zelenskit jashtë rajonit të Kievit që prej nisjes së luftës ruse me 24 shkurt.