Moska: Do të kishim fituar me kohë po të mos kishim mbrojtur civilët

Publikuar më: 31/5/2022, ora 22:49
femije ukraine lufta 1280x720

Moska: Do të kishim fituar me kohë po të mos kishim mbrojtur civilët

Publikuar më: 31/5/2022, ora 22:49

Konflikti në Ukrainë ka shkaktuar në tre muaj dhjetëra mijëra viktima, kryesisht ushtarakë, por ku nuk mungojnë viktimat civile, që sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara tejkalojnë 4 mijë personat.

Por sipas Valentina Matvienko, presidente e këshillit të Federatës Ruse, që përfaqëson dhomën e lartë të Parlamentit, pikërisht dëshira për të kursyer jetën e popullatës ka krijuar vështirësitë më të mëdha në ushtrinë ruse.

Valentina Matvienko dhe presidenti rus Vladimir Putin

“Mund të kishim përfunduar shumë shpejt operacionin special, por kemi vendosur që mos të sakrifikojmë jetën e civileve”, deklaroi Matvienko gjatë një takimi me presidentin e Mozambikut, në kryeqytetin e vendit afrikan që radhitet te aleatët e pakët të Kremlinit.  

Matvienko akuzoi Ukrainën se nuk ka pranuar marrëveshjen për neutralitetin e Ukrainës,  që sipas saj mund të kishte qenë e dobishme për të dy vendet dhe mund të shmangte konfliktin, për shkak të presionit të jashtëm.

Ndërkohë, trupat ruse po përparojnë në Donbas dhe kontrollojnë një pjesë të mirë të qytetit Severodonetsk, sipas vetë burimeve ukrainase.

Në atë qytet sipas burimeve është goditur edhe një depozitë acidi nitrik, tymnaja e së cilës mund të shihet nga çdo anë e qytetit. Popullata është njoftuar të mos braktisë shtëpitë, për shkak të rrezikut të lëndës kimike.