Përplasje shqiptarësh në Samitin për sigurinë në Ballkanin Perëndimor

Publikuar më: 31/5/2022, ora 12:17

Përplasje shqiptarësh në Samitin për sigurinë në Ballkanin Perëndimor

Publikuar më: 31/5/2022, ora 12:17

Lufta në Ukrainë e ka rikthyer procesin e zgjerimit në agjendën politike dhe vëmendjen e Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor. Ky ishte një ndër mesazhet e lëshuara nga Samiti i Demokracisë i Europës Juglindore, të organizuar në Mal të Zi.

Pjesëmarrësit dënuan ashpër luftën e Rusisë në Ukrainë dhe bënë thirrje për kujdes të shtuar për të shmangur destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

“Pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord që Rusia të paguajë çmim për këtë përmes sanksioneve, duke mbështetur Ukrainën dhe popullin e saj. Shpresoj që Serbia do t’i bashkohet këtij grupi dhe do të harmonizojë sanksionet kur të formohet qeveria”

Gabriel Escobar, i dërguar i SHBA për Ballkanin Perëndimor

“Mbretëria e Bashkuar qëndron krah Ballkanit Perëndimor dhe është e gatshme të reagojë në rast të pasojave të luftës”

Stuart Peach, i dërguar i Britanisë për Ballkanin Perëndimor

“Rajoni nuk është i vetëm. BE-ja është me ju dhe ju ndihmon për të kapërcyer pasojat e luftës, pavarësisht nëse ka të bëjë me ndikimin ekonomik apo social. Ne kemi një plan se si të ndihmojmë vendet e Ballkanit Perëndimor”

Miroslav Lajçak, i dërguar i BE për Ballkanin Perëndimor

Në samitin me temë “Lufta në Europë: Ndikimi në Ballkan”, pati dhe përplasje, siç ishte ajo mes kryeministrit malazias, Dritan Abazoviç, me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për “Ballkanin e Hapur”. Osmani kritikoi nismën rajonale duke përmendur arsyet pse e kundërshton atë dhe tha se duhet parë e shkuara e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili ka shërbyer si ministër propagande në qeverinë e Millosheviçit.

Abazoviç iu përgjigj duke askush nuk duhet të jetë në një situatë ku zgjedh qeverinë e një vendi tjetër dhe pyeti Osmanin se pse nuk shqetësohen kur ulen po me të njëjtët njerëz në Procesin e Berlinit. Ndër të tjera kryeministri malazias sqaroi se në takimin e Ohrit për Ballkanin e Hapur do të jetë si vëzhgues dhe se synimi kryesor i vendit është Bashkimi Europian.