Rezoluta në Kuvend, PD kërkon dënimin e gjenocidit serb në Kosovë

Publikuar më: 31/5/2022, ora 15:55

Rezoluta në Kuvend, PD kërkon dënimin e gjenocidit serb në Kosovë

Publikuar më: 31/5/2022, ora 15:55

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend rezolutën kundër gjenocidit serb në Kosovë. Në dokumentin që mban firmën e 11 deputetëve, dënohen krimet e kryera nga serbët gjatë luftës së Kosovës, si dhe kërkohet shpallja e 15 janarit si ditë e përkujtimit të Masakrës së Reçakut.

Komisioni i Rithemelimit në Partinë Demokratike ka depozituar në Kuvend  rezolutën që dënon gjenocidit serb në Kosovë. Në dokumentin e publikuar nga Tritan Shehu, 11 deputetët demokratë që kanë firmosuri kërkojnë Kuvendit të dënojë çdo tendencë për të mohuar gjenocidin.

“Kuvendi i republikës së Shqipërisë dënon fuqishëm gjenocidin serb në Kosovë ndaj popullit shqiptar të Kosovës dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut;

Konstaton dhe pranon se, pas pushtimit të Kosovës nga forcat ushtarake Serbo-Jugosllave, si dhe luftës së përgjakshme, gjatë periudhës 1998-1999, forcat serbe kryen në Kosovë gjenocid;

Dënon ashpër çdo tendencë për të mohuar gjenocidin në Kosovë, me qëllim fshehjen e këtyre krimeve monstruoze ndaj njerëzimit, që tmerruan botën, ndaj popullatës pafajshme të Kosovës”, thuhet në rezolutë.

Rezoluta rendit një sërw krimesh të evidentuara në Kosovë duke theksuar se lista nuk është shteruese.

“Kuvendi i republikës së Shqipërisë konstaton se vrasjet e fëmijëve, grave, të moshuarve dhe personave civilë në përgjithësi, kryesisht shqiptarë, gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, përbëjnë krim të gjenocidit në kuptimin e përkufizimit të gjenocidit në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit;

Dëbimi i shqiptarëve dhe spastrimi etnik i Kosovës përbën krim të gjenocidit dhe shkelje të rëndë të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit;

Zhdukja me dhunë e civilëve shqiptarë përbën krim kundër njerëzimit dhe shkelje të rëndë të Deklaratës së Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e Personave nga Zhdukja me Dhunë; Dhuna seksuale në konfliktet e armatosura, përbën krim të gjenocidit në kuptimin si përkufizohet gjenocidi në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit”, thuhet në rezolutë..

Rezoluta kërkon që Serbia të pranojë krimet e luftës, të vërë para përgjegjësisë autorët e gjenocidit, si dhe të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë Kërkon nga Republika e Serbisë:- Të pranojë faktin se Serbia ka kryer krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Kosovë në periudhën1998-1999, por jo vetëm;

– Të ndriçojë plotësisht fatin e të gjithë civilëve që ende konsiderohen të zhdukur dhe të pagjetur, të rrëmbyer dhunshëm nga forcat ushtarake dhe para-ushtarake serbe të RFJ-së (Serbia dhe Mali i Zi), gjatë luftës në Kosovë 1998-1999 dhe jo vetëm;

– Të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e krimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krime të luftës në Kosově1998-1999;- Të paguajë dëmshpërblim, duke bërë kompensimin e të gjitha shkatërrimeve dhe dëmeve në infrastrukturën materiale në Kosovë;

– Të njohë pavarësinë e shtetit të Kosovës, Republikën e Kosovës, në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në rezolutë..

Në rezolutë kërkohet gjithashtu që 15 janari të shpallet ditë e përkujtimit të Masakrës së Reçakut.

Sipas Partisë Demokratike, rezoluta bëhet në kuadër të 23 vjetorit të përfundimit të luftës në Kosovë, ndërsa është e dyta brenda majit nga komisioni i rithemelimit, pas asaj për masakrën serbe në Srebrenicë, që u refuzua nga Kuvendi.