Sezon si asnjë tjetër, viti i Botërorit ngjesh kalendarin

Publikuar më: 31/5/2022, ora 16:48
Kupa e Botes 1024x576

Sezon si asnjë tjetër, viti i Botërorit ngjesh kalendarin

Publikuar më: 31/5/2022, ora 16:48

Pas verdikteve në kampionatet kombëtare, por edhe në turnetë më të rëndësishëm kontinentalë, të gjithë i kanë sytë nga sezoni i ri futbollistik. Me Kupën e Botës që do të luhet për herë të parë në dimër, kalendari do të pësojë ndryshime rrënjësore.

Ky parashikohet të jetë një edicion si asnjë tjetër. Kalendari do të jetë tejet i ngjeshur përpara dhe pas evenimentit në Katar. Për shkak të Botërorit 2022, skuadrat do të kenë më pak pushime në dispozicion gjatë verës.

Bundesliga është e para që zbret në fushë: sezoni në Gjermani do të nisë më 5 gusht, për t’u mbyllur në 27 maj 2023. Premier League nis më 6 gusht dhe mbyllet më 28 maj. Në 6 gusht nis edhe Ligue 1 franceze.

La Liga spanjolle hap siparin më 12 gusht, teksa Seria A italiane zbret në fushë më 13 gusht, për të përfunduar më 3 qershor.

Kalendari do të jetë thuajse i ri. Deri në mesin e muajit nëntor, kampionatet do të kenë luajtur rreth 15 ndeshje. Aty edicioni do të ndërpritet për më tepër se 50 ditë, deri në fillim të janarit.

Për shkak të Botërorit në dimër, edhe kupat e Europës do t’i mbyllin ndeshjet në fazën e grupeve prej fillimit të muajit nëntor. Ndryshe nga herët e tjera, ndërprerja për Katar 2022 do të bëjë që ndeshjet të ngjeshen si në gjysmën e parë, ashtu edhe në gjysmën e dytë të sezonit.